SHKODER- Tragjedi në një familje në rrethin e Shkodrës. Fëmija 9- vjeçar, A.Gimaj, u vra me armë zjarri nga vëllai i tij dy vite më i madh. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi dje në fshatin Nicaj të komunës Shosh. 11- vjeçari N.Gimaj ka qenë duke luajtur bashkë me të vëllanë me një armë që e kishin gjetur së bashku në banesë. Por, fatkeqësisht, arma është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme duke lënë të vdekur në vend të miturin. Nga hetimet paraprake të policisë rezultoi se vdekja e fëmijës në fshatin Nicaj është shkaktuar në mënyrë aksidentale. Vëllezërit, duke përfituar nga fakti që ndodheshin të vetëm në banesë, kanë filluar të kontrollojnë për të gjetur sende të cilat prindërit e tyre i mbanin të fshehura. Në njërën nga arkat ku familja mbante disa rroba të vjetra, ata kanë gjetur një pistoletë. Fëmija 11 vjeç, duke qenë edhe më i madhi, ka pasur të drejtën që ta mbajë pjesën më të madhe të kohës armën në dorë. Ai ia ka drejtuar me shaka të vëllait, por papritmas arma është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme tri herë. Njëri nga plumbat e ka kapur 9-vjeçarin në kokë duke e lënë atë të vdekur në vend. Fëmija ka pohuar në kushtet e një tronditjeje të fortë psikologjike se kishte tentuar të imitonte filmat duke luajtur me të vëllain. Por, nuk e dinte që arma ishte e vërtetë. Babai i tij ëhstë marrë në pyetje gjithashtu per armën që iu gjet në shtëpi. Por ai ka deklaruar se arma ndodhej që në vitin ‘97 diku e fshehur në banesë dhe madje ai e kishte harruar atë se e kishte. r.d











