SHKODER- Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimeve të kryera në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër dhe në Ministrinë e Shëndetësisë ka depozituar kallëzim penal për Drejtoren e Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër dhe Drejtorin e Spitalit Rajonal Shkodër.
Sipas KLSH-së, në veprimtarinë e DAR Shkodër janë konstatuar një sërë mangësish nga më të ndryshmet, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën edisa milionë lekëve.
Për përmirësimin e gjëndjes, KLSH i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe DAR Shkodër ndryshimin e disa akteve nenligjore në fuqi, si dhe i ka rekomanduar mjaft masa me karakter organizativ, masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 4,355,000 lekë, si dhe masa disiplinore.
Për Drejtoren e Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër është kërkuar marrja e masës disiplinore “Zgjidhje e kontratës së punës”. Ndërkohë, për 9 punonjës të tjerë të DAR është rekomanduar masa disiplinore “vërejtje me shkrim”. Gjithashtu, për Drejtoren e Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër është bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për konsumim të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publikë”.
Ndërkaq, sa i përket Drejtorit të Spitalit Rajonal të Shkodrës KLSH ka audituar Ministrinë e Shëndetësisë për projektin “Rehabilitimi i spitalit të Shkodrës faza-III.
Mbështetur në materialin e auditimit, KLSH arriti në konkluzionin se, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Spitalit Shkodër, ish Kryetari i Degës së Shitjes aktualisht Jurist pranë Degës së Shitblerjes dhe Përgjegjësi Material në Degën Hoteliere, në lidhjen dhe zbatimin e kontratave “Blerje pajisje për lavanterinë” dhe “Blerje furnitura mjekësore”, gjatë zbatimit të këtij projekti kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës
Në tërësi, KLSH ka propozuar 17 masa organizative, 3 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,510,400 lekë, 1 masë administrative dhe 5 masa disiplinore, nga të cilat 1 “Lirim nga detyra” për Drejtorin e Spitalit, 2 “Largim nga puna”, përkatësisht për ish Kryetarin e Degës së Shitjes aktualisht Jurist pranë Degës së Shitblerjes dhe për Përgjegjësin Material në Degën Hoteliere, si dhe 2 “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për një jurist në Zyrën Juridike dhe një ekonomist në Degën Hoteliere, si dhe 2 kallëzime në Prokurori.
© Panorama.al











