Shkodër, gjykata, “detyrim paraqitjeje” kryekomunarit

Jul 23, 2011 | 15:14

SHKODER- Gjykata e Shkodrës vendosi dje masën e sigurisë
“detyrim me paraqitje” për kryetarin në detyrë të komunës Shalë, Dedë
Tonaj. Ngjarja për të cilën kryekomunari është hetuar ka të bëjë me
plagosjen me armë zjarri më 12 qershor të këtij viti të shtetasit Zef
Vuksani, (kushëriri i parë i Balë Vuksanit, i cili është kandidatit i PS-së
për kreun e komunës Shalë). Për këtë ngjarje është arrestuar një tjetër
shtetas, i afërm me kryekomunarin, i cili pranoi edhe autorësinë e plagosjes
me armë zjarri. Por, pas hetimeve të kryera dhe ekspertizës së
kryer në laboratorin e Kriminalistikës, kanë dalë fakte të reja, të cilat
implikojnë në krim kryekomunarin Tonaj. Ndaj tij rëndojnë akuzat për
“plagosje të lehtë me dashje” Vuksanit dhe “prishje të rendit e qetësisë
publike”. Pas këtij vendimi Tonaj është i detyruar që një ditë në javë të
paraqitet pranë policisë gjyqësore për të dhënë sqarime të mëtejshme
për këtë ngjarje. Aktualisht, kreu i komunës Shalë është Dedë Tonaj.
Por, në këtë komunë do të përsëriten zgjedhjet pas ankimimit të kandidatit
të PS-së, Balë Vuksani. KQZ-ja konstatoi parregullsi dhe vendosi
përsëritje të zgjedhjeve në një datë që nuk është përcaktuar ende.            r.d

© Panorama.al

Te lidhura