Djali 17 vjeç vret babain: Ishte i dehur, na dhunonte

Feb 11, 2012 | 12:41

Komisariati Shkodër

FNSH-ja, 3 orë rrugë për në fshat. Pranga adoleshentit: Na dhunonte pasi pinte.

Viktima shkoi i dehur në shtëpi, dhunoi gruan e të birin.

Dhunoi familjen në gjendje të dehur, djali 17-vjeçar vret me armë zjarri babain. Krimi brenda familjes ndodhi dje rreth orës  16:00 në fshatin Prekal të komunës Postrribë në Shkodër. Policia bëri të ditur se shtetasi Sokol Murraça, 43 vjeç, është vrarë me  armë automatike nga djali i tij i vetëm, M. Murraça, 17 vjeç.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi në grindje e sipër mes viktimës e autorit pas një debati në familje. Adoleshenti grindej vazhdimisht me të atin, pasi ky i fundit konsumonte sasi të tepruar alkooli çka degjeneronte në konflikte të vijueshme familjare. Mësohet se në momentin e ngjarjes, në banesën ku ndodhi krimi janë ndodhur viktima, bashkëshortja dhe djali 17- vjeçar. Policia e Shkodrës është nisur drejt fshatit të largët menjëherë sapo ka marrë njoftimin se në Prekal kishte ndodhur një vrasje. Në ndihmë të uniformave blu të Shkodrës janë vënë edhe efektivë të FNSH-së. Janë dashur plot tri orë që blutë të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, për shkak të motit të keq dhe dëborës. Ata kanë gjetur në banesën ku ndodhi krimi edhe autorin, i cili nuk kishte tentuar të largohej për t’i shpëtuar arrestimit. Ai ka pranuar autorësinë, ndërsa sipas Policisë, ka pohuar se gjithçka kishte ndodhur pas një konflikti familjar ku i ati në gjendje të dehur kishte nisur të dhunonte atë bashkë më nënën e tij. Burime të Policisë bënë të ditur se, bazuar nga të dhënat paraprake në vendin e ngjarjes, viktima Sokol Murraça, pasi kishte pirë gjatë paradrekes është kthyer në shtëpi në gjendje të dehur. Kjo ka bërë që mes tij, bashkëshortes dhe djalit të vetëm të familjes të nisë sherri. Gjatë debatit, i zoti i shtëpisë është çuar duke i dhunuar familjarët e tij. Kjo ka bërë që djali i tij të kalojë në dhomën tjetër ku familja mbante një armë automatike të fshehur. Ai e ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të të atit disa herë, duke e lënë atë të vdekur në vend.
Të shtënat kanë vënë në alarm fqinjët e viktimës. Ata kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se fqinji i tyre, Sokol Murraça, ndodhej në mes të dhomës i pajetë e i mbytur në gjak. Ata nxituan për të dalë në një zonë ku mundësohej komunikimi me telefon dhe njoftuan policinë e Shkodrës për ngjarjen. Moti i keq me borë dhe erë të fortë ka bërë që uniformat blu të mbërrijnë në vendin e ngjarjes pas tri orësh. Madje, 1 km rrugë u është dashur ta përshkojnë në këmbë duke çarë përmes dëborës, pasi automjetet e policisë e kishin të pamundur që të lëviznin në drejtim të lagjes Pecaj ku kishte ndodhur ngjarja. Blutë arrestuan me akuzën e vrasjes 17-vjeçarin, ndërsa janë marrë në pyetje edhe bashkëshortja e viktimës, si dhe fqinjët e familjes Murraça.

© Panorama.al

Te lidhura