Shkodër, dëmshpërblimi i bizneseve, reagojnë tregtarët: Po tallen me ne

Jan 13, 2012 | 12:25
Nga përmbytjet e vjetshme në Shkodër

SHKODER – Pas publikimit në media të listës së bizneseve që qeveria ka miratuar për të përfituar dëmshpërblimin, një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të këtyre bizneseve janë shprehur të indinjuar, duke akuzuar shtetin për mashtrim. “Ky është një mashtrim i pastër, është shprehur Bukurie Hasani, një nga pronaret e një dyqani në pazarin e Shkodrës. –Akoma, edhe tani që kemi lexuar shkrimin, na duket i pabesueshëm një lajm i tillë. Të gjithë janë dëshmitarë që për tri javë me radhë niveli i ujit në dyqanin tim i ka kaluar 1.5 m dhe akoma nuk e kemi marrë veten nga ajo dramë që kemi përjetuar, por tani po përjetojmë një tragjedi tjetër”. Sipas tregtares, i gjithë malli në këtë lartësi, si sheqeri, kripa, biskotat, si dhe shumë ushqime të tjera kanë mbaruar dhe ato nuk i kanë marrë parasysh fare. “Asnjë prej nesh nuk e ka fajësuar qeverinë për përmbytjen, pasi ajo ishte një gjë e cila ndodh kudo në botë, por mosmbajtjen e premtimit të dhënë, këtë gjë ne nuk do t’ia falim asnjëherë. Shpresojmë që të ketë qenë ndonjë gabim i ndonjë punonjësi mjeran i administratës shtetërore që nuk e di se çfarë do të thotë të shkojë dëm malli me të cilin siguron bukën e gojës për familjen, pasi në të kundërt, reagimi ynë do të jetë shembullor për qeverinë”, është shprehur e indinjuar Hasani. “Si ka mundësi që shteti me një të rënë të lapsit të ketë hequr 200 e ca biznese”, shprehet një tjetër tregtar i lagjes “Xhabie”. Të gjitha “argumentet” e Tatim-Taksave janë një justifikim. Shteti më mirë të kishte thënë që nuk kemi lekë e nuk kemi se çfarë t’ju bëjmë, se sa të tallen në atë mënyrë. Në kohën e përmbytjeve, ishte muaji dhjetor, fundi i vitit 2010 dhe të gjithë kanë pasur licencat në rregull, faturat, bilance e të tjera të kësaj natyre, pasi ne nuk na kishte lënë kush të punojmë për një vit të tërë të palicencuar dhe pa letra të rregullta”.                           r.d

© Panorama.al

Te lidhura