Shkodër, burg përjetë për Admir Tafilin

Jul 5, 2012 | 14:29
Admir Tafili

SHKODER- Gjykata e Shkodrës dënoi dje me burgim të përjetshëm Admir Tafilin, autor i vrasjes së dy vëllezërve të ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, Prel Pjetrushi. Tafili nuk ishte dje në sallën e gjyqit, por mbrojtja e tij i kërkoi trupit gjykues të pranonte gjykimin e shkurtuar për klientin e tij. Por duke u nisur nga rëndësia e dosjes mjaft delikate në të cilën faktohej vrasja e dyfishtë, gjykata nuk e pranoi kërkesën e mbrojtjes. Në fund të procesit, trupi gjykues dha verdiktin e tij me burgim të përjetshëm ndaj Admir Tafilit, si dhe 400 mijë lekë gjobë. Ai u shpall fajtor për vrasjen e vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, ngjarje që ndodhi rreth një vit më parë në Grudë të Shkodrës. Akuzat që rëndonin ndaj të pandehurit ishin “vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy personave”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, si dhe “falsifikim të dokumenteve”. Pas vendimit të djeshëm, mbrojtja e Tafilit deklaroi se do t’i drejtohet Apelit për të kundërshtuar Shkallën e Parë. Admir Tafili u arratis nga burgu në 2 tetor të vitit 2010, pasi kishte marrë leje për të parë nënën e tij të sëmurë. Ai qëndroi pesë muaj i fshehur, derisa vuri në jetë planin për ekzekutimin e vëllezërve Pjetrushi. Viktimat ishin vëllezër të Prel Pjetrushit, ish-shefi i krimeve në Malësinë e Madhe. Këtë të fundit Tafili e bënte përgjegjës për vrasjen e babait të tij, Bahri Tafili. Pas arrestimit, ai pranoi në polici vrasjen e dyfishtë për hakmarrje. “I vrava vëllezërit Pjetrushi sepse nuk ia fala dot Prelë Pjetrushit vrasjen e babait tim dhe terrorin që ushtroi ndaj familjes. Ai e tërhoqi zvarrë për flokësh nënën time…”. Kështu mësohet se deklaroi pas arrestimit në një lokal të Tiranës i shumëkërkuari. Babai i 35-vjeçarit, Bahri Tafili, mbeti i vrarë gjatë aksionit të Policisë së Shkodrës për kapjen e tij. Ai ishte në kërkim me akuzën e vrasjes. Gjatë operacionit për kapjen e tij mbeti i vrarë edhe Arben Zylyftari, drejtor i Policisë së Shkodrës. Për këtë krim është dënuar edhe vëllai i Admir Tafilit, Genc Tafili.                                r.d

© Panorama.al

Te lidhura