
Kryeministri, Sali Berisha ka inauguruar sot një segment të rrugës, Ura e Mesit – Prekal, në komunën Postribë të Shkodrës.
Kryeministri tha se vazhdimi i këtij aksi rrugor do t’i japë gjallëri një prej zonave më të bukura të vendit, ndërsa shtoi, se kjo rrugë ka krijuar edhe vende të reja të punës. Edhe pse duhen edhe 10 muaj për të shkuar deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryeministri u bëri thirrje banorëve të zonës që në zgjedhjet e ardhshme të zgjedhin vizionin që përfaqëson Partia Demokratike.
“Jemi drejt një fushatë zgjedhore, zgjidhni vizionin tonë”- tha kryeministri. Opozita, shtoi ai, është alternativa e bllokut dhe bllokimit.
Gjatë fjalës së tij Berisha iu referuar reformave që qeveria e tij ka ndërmarrë si dhe modelit të suksesshëm ekonomik të Shqipërisë, i cili bëri të mundur edhe mos rënien në krizë.
Sipas kryeminsitrisë, ky aks u rikonstruktua nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Islamike për Zhvillim me një investim prej 393.700.164 lekë.
Segmenti rrugor Ura e Mesit – Prekal është i gjatë 15.4 km dhe shtrihet përgjatë luginës së lumit Kir. Kjo rrugë fillon në Urën e Mesit dhe përfundon në fshatin Prekal. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë drejpërdrejt fshatrat Domen, Drisht, Ura e Shtrenjte, Prekal me rreth 2000 banorë.
Nga kjo rrugë përfitojnë edhe banorët e komunave Pult, Shosh, Shale të cilët e përdorin atë për t’u lidhur me qytetin e Shkodrës.
Ky segment rrugor është faza e parë e rehabilitimit të rrugës së Dukagjinit.
© Panorama.al











