Shkodër, Bashkia paguan qiranë e familjeve në unazën lindore

May 9, 2012 | 15:14
Nga prishja e ndërtimeve pa leje në Shkodër

SHKODER – Bashkia e Shkodrës do të marrë banesa me qira për të sistemuar pjesëtarët e 2 familjeve që u janë prishur shtëpitë për ndërtimin e unazës lindore. “Kjo është hera e parë që Bashkia ndërmerr një vendim të tillë, duke paguar qiranë e banesave derisa pronarët e tyre të përfundojnë të gjithë dokumentacionin e plotë dhe të mund të përfitojnë dëmshpërblimin financiar që u takon për raste të tilla”, u shpreh Aida Shllaku, drejtoreshë e Urbanistikës në Bashkinë Shkodër. Sipas Shllakut, nga 108 objekte që janë prishur, vetëm 56 prej tyre kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e duhur për të përfituar dëmshpërblimin, pjesa tjetër ose është në proces të plotësimit të dokumentacionit, ose ato nuk i posedojnë ato. Ndërkaq, nga tërësia e godinave, vetëm dy prej tyre janë shtëpi banimi, ndërsa të tjerat janë shtesa apo objekte të tjera. Këto dy banesa janë në etapat e fundit të legalizimit, deri në momentin që qeveria do të marrë një vendim që ato të përfitojnë marrjen e lekëve si dëmshpërblim. “Bashkia do të rezervojë një pagesë qiraje për strehimin e tyre. Nuk do të ishte njerëzore nga ana jonë që pjesëtarët e këtyre dy shtëpive të flakeshin në rrugë deri në përfundimin e plotë të procedurave të legalizimit të tyre”, u shpreh Shllaku. Unaza lindore është e gjatë 4.5 km dhe ka një kosto prej 8.2 milionë eurosh. Aktualisht po punohet për ndërtimin e segmentit të parë prej 3.5 km, ku ka përfunduar plotësisht infrastruktura inxhinierike, janë hedhur shtresat e para të asfaltit në rreth 3 km. Prej disa ditësh, Inspektorati ndërtimor po vazhdon nga puna për lirimin e sheshit nga objektet me dhe pa leje, që bien ndesh me projektin e ndërtimit të segmentit në unazën lindore të qytetit të Shkodrës. Numri i objekteve që do të prishen në këtë segment arrin në 108, ku krahas shumë objekteve të tilla me dhe pa leje, siç janë njësi tregtare apo dhe mure rrethuese, janë edhe 2 shtëpi banimi, të cilat janë në hapat e fundit të procesit të legalizimit të tyre.             r.d

© Panorama.al

Te lidhura