Gëzimi i dasmës desh është kthyer në një ngjarje tragjike dje në Shkodër. Në orët e vona të pasdites, plot 32 persona janë paraqitur të helmuar
dhe kanë kërkuar trajtim në Spitalin rajonal të Shkodrës. Policia është informuar nga spitali në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen “Liria”.
Të helmuarit mësohet se kanë pasur një dasmë në datën 25 korrik në një lokal
pikërisht në lagjen “Liria” në hyrje të Shkodrës. Pas ngjarjes, ata mësohet se kanë marrë me vete nga lokali ushqimet që kanë tepruar, të cilat
i kanë mbajtur në kushte jo të mira në banesë. Ky ka qenë edhe shkaku i helmimit, sipas burimeve të Policisë së Shkodrës. Ndërkohë, nga burime
të spitalit të këtij qyteti është pohuar mbrëmë se nga të helmuarit, pesë prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Dy fëmijë dhe tre pleq mësohet se
paraqiten në gjendje më të rënduar, e cila kërkon kohë më të gjatë mjekimi, ndërsa bluzat e bardha kanë pohuar se asnjëri nga të helmuarit
nuk rrezikon jetën.
HELMIMI
Dasma e mbajtur më 25 korrik 2011 ka shkuar krejt normalisht, ndërsa helmimi i 32 personave ka ndodhur rreth 48 orë më vonë. Ngjarja
ka ndodhur ditën e djeshme, dy ditë pas dasmës së zhvilluar në një restorant
në Shkodër. Sipas të dhënave që ka mbledhur policia, shumica e dasmorëve kanë qenë të ardhur nga periferia e Shkodrës, për shkak se kanë qëndruar një natë në banesat e të afërmve të tyre në këtë qytet. Pikërisht aty mësohet
se ka ndodhur edhe konsumimi i ushqimeve që ishin marrë nga lokali, pasi kishin tepruar në dasmë. Dyshohet se ushqimet janë mbajtur në
kushtet jo të duhura dhe në temperaturat e larta janë prishur, duke shkaktuar më pas helmimin e 32 personave. Pas paraqitjes së tyre në
Spitalin e Shkodrës dje në mbrëmje, vetëm pesë nga të sëmurët janë mbajtur në regjim shtrati, ndërsa të tjerët, pasi kanë bërë lavash dhe kanë marrë mjekime, janë kthyer në banesat e tyre. Policia e Shkodrës në
bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit mësohet se ka nisur mbrëmë veprimet e nevojshme hetimore duke sekuestruar mostrat e
nevojshme për kryerjen e analizave toksikologjike. Po kështu, hetuesit kanë
marrë në pyetje të helmuarit në lidhje me kohën kur e kanë konsumuar ushqimin që dyshohet se ka qenë shkak i helmimit.
RREZIKU NGA TEMPERATURAT E LARTA
Stina e nxehtë e verës paraqet rrezikshmëri të lartë për helmim nga ushqimi dhe
kërkon kujdes të veçantë nga konsumatori. Për shkak të temperaturave të larta dhe
nxehtësisë së ajrit, rezistenca e lëndëve bie dhe po ashtu ato prishen më shpejt. Në
mënyrë të veçantë, sipas specialistëve, mishi dhe produktet e tij, bulmetrat dhe
gatimet tjera paraqesin rrezikshmëri për t’u kthyer në lëndë helmuese dhe të
dëmshme për organizmin, nëse nuk mbahen në ambiente të freskëta dhe nëse nuk
konsumohen në një kohë të shkurtër pas përgatitjes së tyre. Ushqimi i ndjekur dhe i
prishur nga temperaturat e larta dyshohet se ka qenë shkak i helmimit të 32
dasmorëve në qytetin e Shkodrës. Në këtë periudhë edhe në vitet e shkuara kanë
ndodhur helmime masive në një piceri në Tiranë apo në një hotel në Durrës, të
grupeve të nxënësve të ardhur me ekskursione nga Kosova.
RIDVAN DIBRA
© Panorama.al











