Shkëndija, e dobët për Partizanin e Beogradit

Jul 14, 2011 | 12:53

Shkëndija e Tetovës u mund 4-0 nga Partizani i Beogradit, duke i thënë thuajse lamtumirë Kupës së Kampionëve. Kampionët e Maqedonisë nuk arritën të tregonin asgjë nga repertori i tyre, edhe pse patën rastin më të mirë për të kaluar të parët në avantazh, pas një penalltie të marrë në minutën e 11-të të takimit. Nga pika e bardhë shkoi Feran Hasani, i cili gaboi duke u dhënë krahë vendasve. Këta të fundit, të përkrahur edhe nga një publik i flaktë, i ardhur më së shumti edhe për faktin se përballë ishte një skuadër shqiptare, arritën që të kthenin në favorin e tyre gjithë fraksionin e dytë të lojës. Që në minutën e 48-të Partizani i Beogradit kaloi në avantazh me anë të Vukiç. Nga ky moment në fushë u pa vetëm një skuadër, ajo vendase. Lojtarët e Shkëndijës u munduan që të dilnin nga gjysmëfusha e tyre me qëllim shënimin e golit të barazimit, por në minutën e 57-të pësuan të dytin me autor brazilianin Eduardo. Ky i fundit shënoi edhe golin e tretë në minutën e 74-të, ndërsa vulën e krejt ndeshjes ia vuri një autogol i Eminit në minutën e 76-të. Me këtë fitore serbët shkojnë të qetë në Tetovë, pas një jave në takimin e kthimit.

© Panorama.al

Te lidhura