Në një kohë kur shkencat dhe inovacioni po zhvillohen me një ritëm të shpejtë, duket se Shqipëria po renditet e fundit në rajon për kërkim shkencor.
Studimi i prestigjiozes Science mat artikujt e botuar në të gjitha vendet e Europës në fushën e fizikës, biologjisë, kimisë, matematikës, mjekësisë, bioteknologjisë, inxhinierisë dhe shkencave të tokës e hapësirës.
Sipas numrit të botimeve shkencore të publikuara, e cila funksionon si parametër të matjes së kërkimit shkencor, Shqipëria renditet e fundit në Europë.
Shqipëria rezulton me 6 artikuj të botuar për 100 mijë individë, që përllogaritet si niveli më i ulët në të gjithë Europën.
Në një vështrim rajonal, kryeson Serbia me 69artikuj për 100mijë individë, Mali i Zi ndjek me 50, Maqedonia e Veriut me 21 dhe Kosova me 15.
Shqipëria ka treguar një mungesë të dukshme të investimeve në kërkim dhe zhvillim krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Kjo ka sjellë një hendek të thellë në kapacitetin shkencor dhe inovativ të vendit.
Në një kohë kur shkenca dhe teknologjia luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe social, mungesa e përpjekjeve serioze për të fuqizuar këtë sektor po bëhet një pengesë e rëndë për Shqipërinë. Ndërkaq, vendet e tjera të rajonit po përfitojnë nga investimet e tyre në kërkim dhe zhvillim për të ndërtuar një ekonomi më inovative dhe të qëndrueshme.
Sipas ekspertëve të fushës, një nga problemet kryesore është edukimi shkencor i kufizuar dhe mungesa e programeve të specializuara në nivelet e larta të arsimit.
Studentët shqiptarë shpesh janë të detyruar të kërkojnë mundësi për shkollim dhe trajnim jashtë vendit për të përfituar nga njohuritë dhe teknikat më të fundit në fusha të ndryshme shkencore.
Gjithashtu, një tjetër problem që ka ndikuar në renditjen e ulët të Shqipërisë në kërkim shkencor është mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e lidhjeve të dobishme me institucione dhe organizata të tjera shkencore. Kjo e ka bërë të vështirë pjesëmarrjen aktive të shkencëtarëve dhe studentëve shqiptarë në projekte ndërkombëtare dhe shkëmbim të njohurive./Monitor
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al