Shkëlqen Dallku, në stol Bakaj dhe Cana

Aug 19, 2011 | 11:35

Liga e Europës ka ngjyra shqiptare brenda saj dhe ajo që e përforcoi më shumë këtë fakt ishte derbi i shumëpritur mes Vorsklas së Dallkut e Januzit dhe Dinamos së Bukureshtit së Bakajt. Por mungesa e këtij të fundit në fushën e lojës e zbehu disi entuziazmin e kësaj sfide. Në Ukrainë, vendësit e Vorsklës kanë triumfuar me meritë me rezultatin 2-1, sukses në të cilin protagonist i padiskutueshëm ka qenë mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili luajti për 90 minuta. Armend Dallku me shpërthimet e tij ka parë t’i mohohet një penallti e pastër në minutën e 92-të. 26-vjeçari i shkoi fare pranë edhe golit në minutën e 86-të, kur goditi fluturimthi nga jashtë zone, por portieri rumun bëri një pritje spektakolare. Ndërkohë, shqiptari tjetër i Vorsklës, Ahmed Januzi, nuk ishte në një mbrëmje të mirë. Gjithsesi, ai e nisi ndeshjen si titullar, por në minutën e 77-të iu desh t’i linte vendin Artem Gromov. Por, keqardhja më e madhe e kësaj ndeshjeje ishte mungesa e Elis Bakajt në radhët e Dinamos së Bukureshtit. Fantazisti shqiptar nuk luajti për asnjë minutë me skuadrën rumune.
Lorik Cana – Lacio fitoi 6-0 në “Olimpiko” ndaj Rabotniçkit, por kësaj mbrëmjeje magjike i mungoi Lorik Cana, i cili qëndroi në pankinë përgjatë gjithë ndeshjes.
Altin Lala – Hanoveri i Altin Lalës ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në mbrëmjen e djeshme, kur përballë publikut mundën me rezultatin 2-1 spanjollët e Seviljes, por mesfushori shqiptar nuk ka qenë fare i grumbulluar.

© Panorama.al

Te lidhura