
Shkatërruan ujë-sjellësin, arrestohen gjashtë banorë të fshatrave që organizuan protestën. Dëmtimi total i veprës, si dhe djegia e shkatërrimi i pajisjeve dhe makinerive ka vënë në alarm Policinë e Dibrës, duke prangosur personat përgjegjës. Burime pranë komunës Melan bënë të ditur se kanë qenë të paktën 200 banorë të fshatrave Erebarë, Trepçe dhe Dovolan, që kanë organizuar protestën e paligjshme dhe kanë dëmtuar punimet në ujësjellësin që kushtonte 65 milionë lekë. Kjo vepër do të furnizonte 2500 banorë të gjashtë fshatrave të kësaj komune. Por, banorët e fshatrave të mësipërme kanë kërkuar që ujin ta përdornin edhe për vaditje. Duke qenë se kërkesa e tyre është refuzuar, pasi ujësjellësi kishte kapacitet vetëm për furnizim me ujë të pijshëm për gjashtë fshatra dhe jo për ujitje, atëherë banorët e Erebarës, Trepçes dhe Dovolanit e kanë shkatërruar atë. Burime të Policisë në Dibër bënë të ditur se dje rreth orës 02:00 u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit Dilaver Spahiu, 54 vjeç, banues në fshatin Dovolan, Munir Markeçi, 67 vjeç, banues në fshatin Trepçë, Agim Datja, 63 vjeç, Shkëlqim Datja, 57 vjeç, Abdi Leka, 35 vjeç dhe Ilir Datja, 46 vjeç, që të katërt banues në fshatin Erebarë të rrethit Dibër.
“Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi më 30 qershor 2012, rreth orës 08:00, në mënyre të organizuar kanë vajtur në vendin e quajtur “Bjeshkët e Hinokës”, ku ka qenë duke kryer punime firma “Gjoka”, për ndërtimin e një ujësjellësi dhe kanë shkatërruar me zjarr një mjet tip “Varinskë”, materialet e ndërtimit, si dhe kanë shkatërruar ndërtimet e kryera nga kjo firmë”, bëri të ditur Policia. Mësohet se në gjendje të lirë do të ndiqen edhe shtetasit Fatos Veliu, 39 vjeç dhe Qemal Leka, 46 vjeç, që të dy banues në fshatin Erebarë. Ndërkaq policia po heton edhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje. Kryetari i komunës Melan, Neki Mehmeti, u shpreh se ngjarja është shumë e rëndë dhe e paparashikuar nga ana e tij. Ai falënderoi policinë për arrestimin e një pjese të organizatorëve të protestës që çoi në dëme mjaft të rënda. Burime të Policisë bënë të ditur se nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera, pasi protesta ka qenë e paligjshme dhe është dëmtuar një pronë publike. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
Të arrestuar
. Dilaver Spahiu,
54 vjeç, banues
në Dovolan. Munir Markeçi,
67 vjeç, banues
në Trepçë. Agim Datja,
63 vjeç, banues
në Erebarë. Shkëlqim Datja,
57 vjeç, banues
në Erebarë. Abdi Leka,
35 vjeç, banues
në Erebarë. Ilir Datja,
46 vjeç, banues
në Erebarë
Kryekomunari: Investim 65 mln lekë
Kryekomunari Neki Mehmeti u shpreh se “ujësjellësi është ndërtuar në vitin 1981 dhe ka shërbyer për fshatrat Melan, Grevë, Pjecë, Pejkë, Trenë dhe Ilnicë. Në vitin 2011, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me donator Bankën Gjermane KFV, akordoi për ndërtimin e ujësjellësit të gjashtë fshatrave 95 milionë lekë të rinj. Tenderi u fitua nga firma “Gjoka sh.p.k.” me vlerën 65 milionë lekë. Prej kohësh punimet për ndërtimin e kësaj vepre pengohen nga banorët e tre fshatrave, Dovolan, Erebarë dhe Trepçë, me pretendimin se ai ujë u përket atyre.
DIBËR/ HASAN PASHA
© Panorama.al











