
SARANDE – Shkatërrimi i bandave të grabitësve dhe të vendosjes së lëndëve eksplozive në Sarandë ka sjellë edhe shpërblimin e efektivëve të Policisë së këtij qyteti. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, vlerësoi dje, në një takim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut në Vlorë, katër punonjës të Komisariatit të Sarandës, për profesionalizmin e treguar gjatë punës së tyre në luftën kundër krimit. Bëhet fjalë për goditjen e një grupi kriminal me tendencë shkatërrimin e pronës me eksploziv dhe vjedhje në këtë qytet, si dhe një rast i tentativës së trafikimit të një sasie të madhe droge. Gjatë kësaj ceremonie, Burgaj i dorëzoi shefit të Komisariatit Sarandë, Altin Mërizaj dhe oficerëve të policisë, Agim Fejzo, Aleksandër Lilo dhe Edmond Veizi, certifikatë lavdërimi “Për rezultate në sigurimin e rendit publik”, në shenjë vlerësimi për punën e bërë në goditjen e grupit kriminal “B-13”, në kuadër të operacionit “Lëkurësi” dhe kurorëzimin me sukses të operacionit “Duralumini”. Në operacionin “Lëkurësi”, Policia e Sarandës shkatërroi një prej bandave më të rrezikshme kriminale që ka vepruar në qytet, atë të njohur me emrin “B13”, me 8 anëtarë. Këta të fundit akuzohen për të paktën 19 vepra penale në Sarandë, kryesisht grabitje me maska, por edhe për shkatërrimin me eksploziv të automjeteve të ish-shefit të Krimeve Sarandë, Ilir Zhupa, ish-shefit të grupit të gatshëm, Aleksandër Lilo dhe të “Pub Butrinti”. Ndërkohë, në operacionin e koduar “Duralumini”, Policia e Sarandës zbuloi një automjet të maskuar si transportues të materialeve duralumini, që drejtohej nga një i ri nga Vlora, duke transportuar 284 kg lëndë narkotike “cannabis sattiva” për në drejtim të shtetit grek. Në fjalën e tij, Burgaj i përgëzoi ata për angazhimin maksimal në organizimin me eficencë të punës për goditjen e këtyre grupeve kriminale me aktivitet të mprehtë në qytetin e Sarandës.











