MIRDITE- Thuajse të gjitha fshatrat që ndodhen në të dyja anët e autostradës Milot-Kalimash kanë një dalje provizore në rrugë. Për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën janë hequr trafikndarëset dhe barrierat mbrojtëse të saj, duke rrezikuar aksidente të rënda përgjatë kësaj autostrade. Janë disa kalime të paligjshme që nisin që nga Miloti, Rrësheni e në afërsi të Repsit. Përgjatë këtij aksi konstatohen mjete që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, duke rrezikuar jetën e udhëtarëve në to, por edhe të mjeteve të tjera. Hapja e kalimeve është bërë nga banorët e zonës, të cilët vazhdojnë zgjerimin e hyrje- daljeve dhe heqjen e trafikndarësve. Por deri më tani nuk ka asnjë të penalizuar për këtë problem. Aktualisht janë krijuar 6 hyrje-dalje të reja që nuk kanë asnjë autorizim.











