DIBER – Të paktën 70 banorë të fshatrave Dovolan, Erebarë dhe Trepçë kanë protestuar dje paradite para godinës së Gjykatës së Dibrës. Ata kanë kërkuar lirimin e gjashtë bashkëfshatarëve të tyre, me pretendimin se ata nuk janë fajtorë për dëmet e shkaktuara dhe se uji në Bjeshkët e Hinokës është “pronë e tyre” prej shekujsh. Të tubuarit para organit të drejtësisë lëshonin thirrjet “Lironi vëllezërit tanë!”. Një përfaqësi e tyre kanë kërkuar takim me autoritetet e Gjykatës Peshkopi, por këto të fundit nuk kanë pranuar të takohen me banorët, madje kanë kërkuar largimin e tyre nga oborri i institucionit. Efektivat e Policisë lokale kanë kontaktuar me banorët dhe i kanë bindur të largohen nga godina, ndërkohë që dy orë më vonë trupi gjykues ka dhënë masën “detyrim paraqitjeje” për të arrestuarit: Agim Datja, 63 vjeç, banues në fshatin Erebarë, Dilaver Spahiu, 54 vjeç, banues në fshatin Dovolan, Munir Markeçi, 67 vjeç, banues në fshatin Trepçë, Shkëlqim Datja, 57 vjeç, banues në fshatin Erebarë, Abdi Leka, 35 vjeç, banues në fshatin Erebarë dhe Ilir Datja, 46 vjeç, banues në fshatin Erebarë. Mësohet se tre nga të arrestuarit janë kryetarë të këtyre tre fshatrave, madje nga organi i akuzës ishin cilësuar si nxitës të dhunës mbi makineritë e firmës dhe veprën e ujësjellësit. Një grup protestuesish janë pritur nga prokurori i Dibrës, Hysni Vata. Në bisedë me ta ai ka pohuar se organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë “burg pa afat” për gjashtë personat e arrestuar për dëmtim të pronës, në bashkëpunim. Banorët janë shprehur se “uji është i shenjtë” dhe se nuk do të lejojnë ndërtimin e kësaj vepre. Banorët më pas kanë pritur afër gjykatës daljen e gjashtë të arrestuarve dhe së bashku janë kthyer në vendlindje, në fshatrat Erebarë, Trepçë e Dovolan. Kryetari i komunës Melan, Neki Mehmeti, tha se Gjykata duket e ndikuar nga reagimi i ashpër i banorëve të tre fshatrave. h.p











