Shkarkoni doganierët e korruptuar

Aug 13, 2011 | 12:09

SAJMIR TAHIRI

Z. Kryeministër! Do të kisha dashur t’Ju nisja një sms në celularin tuaj “antikorrupsion” po të mos besoja se mjetin që e keni shitur publikisht si instrument për duart e pastra, në fakt e përdorni po Ju vetë me duar të pista për çfarëdolloj pisllëku, duke kënaqur njëkohësisht epshin pervers të të ndjerit gabimisht, njëherësh shpëtimtari për disa pak që ende besojnë te ndershmëria juaj e kumbarit për ata disa pak të tjerë që shërbëtojnë për bizneset e pista të qeverisë e të familjes. Do të kisha dashur shumë t’Ju nisja edhe një shkresë zyrtare, po të mos ma komplikonte rrugën procedura që ka sajuar kanakarja juaj në Parlament, znj. Topalli, e cila tashmë filtron dhe shkresat e deputetëve të opozitës drejtuar ministrave dhe Kryeministrit. Por, po Ju drejtohem publikisht në rreshtat e parë, me shpresën se të paktën për sy e faqe do të lëvizni pak nga karrigia për të mësuar më shumë për atë korrupsion të vogël për të cilin fare rastësisht u bëra dëshmitar personalisht në pikën doganore të Qafë-Botës. Me pak fjalë, historia është kjo. Dy doganierë në pikën doganore të Qafë-Botës bridhnin në rreshtin e makinave me turistë dhe emigrantë, duke vënë “gjoba” e kërkuar “dhurata” pa pasur asnjë lloj skrupulli për të mbuluar, të paktën në dukje, poshtërsinë që bënin si dy vemje që zvarriteshin derë më derë në makinat e shqiptarëve e të huajve që prisnin nën diell. Dëshmitar u bëra unë kur i erdhi radha një shtetasi italian dhe bashkëshortes së tij shqiptare, ngjitur me makinën time. Njëri nga këta gjobëvënës me uniformën e shtetit, për të cilin unë dhe familja ime paguajmë taksa, e po kështu shumica dërrmuese e shqiptarëve të zakonshëm, përfshi edhe ata që prisnin në radhë, u kërkoi atyre që ishin në makinë “dhuratën për shefin”. Dhe këtë e bëri me plot gojën e copë fare, pa iu dridhur aspak qerpiku. Përgjigjja e gruas shqiptare do të turpëronte dhe hajdutin profesionist, por jo këto shushunjat që bredhin në doganat shqiptare. Zonja i tha se kishte 23 vjet larguar nga Shqipëria dhe se i kishte harruar këto “tradita”, por u kujdes njëkohësisht që të përmbushte dhuratën e detyruar për punonjësin e shtetit. Doganieri ia ktheu mbrapsht gruas atë që i mori, i turpëruar para të gjithë atyre që panë me sy të gjithë skenën e që mbase kishin bërë gati “dhuratat” e tyre për këtë palaço, por kjo ndodhi vetëm pse unë ndërhyra dhe thuajse e “detyrova” të kthente atë që nuk duhet të merrte kurrë. Edhe pse im bir, as 6 muaj nuk ka mbushur, priste në makinën e vaposur, m’u desh të konsumoja mbi 4 orë në Komisariatin e Sarandës për të denoncuar gjithçka rasti më bëri dëshmitar, falë edhe gatishmërisë së oficerëve në polici për të mbajtur shënim deklarimin tim. Natyrisht që kam ndër mend të interesohem periodikisht për të mësuar fatin e denoncimit tim duke pritur që Drejtësia të bëjë punën e saj, por po Ju drejtohem që të mos prisni Ju, si Kryeministër i vendit, e të bëni më të paktën që keni në dorë, t’i shkarkoni të dy punonjësit, por edhe shefat e tyre në doganën e Qafë-Botit, të cilët nuk mund të mos kenë marrë vesh e të mos kenë qenë në dijeni të banditizmit korruptiv të këtyre doganierëve që nuk bënin asnjë lloj përpjekje për të fshehur veprimtarinë e tyre. Po ndërkohë që, z. Kryeministër, mburreni për turizmin, duart e pastra, shtetin ligjor e demokracinë, vrullin tuaj personal e qeverisës për reforma, ca të vërtetave duhet t’u dalim përpara e po e bëj vetë. Përse të mos jetë kaq i korruptuar e kaq arrogant në korrupsionin e vet një doganier në doganën më të fundit të vendit, kur Kryeministri i vendit dhe familja e tij, pak kilometra larg Tiranës, në Gërdec, ndërtojnë një kantier të tërë vetëm për të vjedhur dhe mbyllin sytë kur po ky kantier kthehet në varrezën e 26 njerëzve, faji i vetëm i të cilëve ishte nënshtrimi pa kushte ndaj varfërisë që i detyroi të punonin si skllevër në biznesin e familjes së Kryeministrit, biznes që u mori jetën? Përse të mos vjedhë ca lekë një doganier, kur Kryeministri vodhi mbi 220 milionë euro nga rruga Durrës-Kukës? Ky urdhëroi Lulzim Bashën ta bënte, që pastaj ta shpëtonte me procedurë nga drejtësia, për ta bërë sot, po me procedurë, kryetar Bashkie. Përse të mos jetë arrogant e i pacipë një doganier kur zhvat paratë e emigrantëve a turistëve, kur Kryeministri pushkaton qytetarët në mes të bulevardit me “rregullore oborri”, kujdeset për Presidentin e Republikës, prokuroren e Përgjithshme dhe kryetarin e SHISH-it me “libër shtëpie” dhe shpëton vrasësit nga Drejtësia që ka marrë peng po me “rregullore oborri”. Përse të mos priten bashkatdhetarët që në kufi me “dhurata për mbretin”, kur Kryeministri edhe tokën e detin i trajton si oborr privat e i fal për interesa okulte? Si mos të vjedhë doganieri në Qafë-Botë, kur Kryeministri mbyll sytë edhe kur me zë e figurë i del përpara zëvendësi i tij i zyrës ngjitur që bën pazare me tendera e koncesione miliona euro? Nuk ka asnjë mundësi të ndodhë ndryshe, sepse modeli qeverisës që nga i pari i kësaj çete kulakësh deri të oborrtari më i fundit, vjedhin e rrjepin gjithçka e gjithkënd. Vjedhin jetën, votën, paratë, kursimet, pasurinë publike, buxhetin e shtetit e çdo gjë tjetër ka mbetur ende në këmbë pa u vjedhur prej tyre. Kur korrupsioni me këmishë e kollare fshihet pas pandëshkueshmërisë, pas kapjes së Drejtësisë nga mafia shtetërore, pas shembjes së shtetit ligjor e pas rrënimit të demokracisë, doganieri me këmishë të zgjyrosur në Qafë- Botë bën vetëm atë që duhet të bëjë për të mbijetuar në një sistem të ndyrë që funksionon për të mbajtur në këmbë një pushtet ilegjitim nga koka të këmbët. Është ky modeli i shtetit mafioz që të përplaset dhunshëm në fytyrë sa vë këmbë në tokë shqiptare. Kjo është kartëvizita e qeverisë dhe zgjatimeve të saj në çdo skaj. Ata doganierët e veckël të Qafë-Botës janë vetëm ushtarët e parëndësishëm të një kompanie të tërë mercenarësh që nuk njohin as ligj e as moral, e që këtë vend e trajtojnë si plaçkën e luftës së fundit elektorale. Fjalët e bashkëshortit italian që ra viktimë e atij doganierit ishin pak a shumë filozofia që Kryeministri ynë kërkon t’i imponojë tashmë një populli të tërë. M’u drejtua mua duke m’u lutur të mos e bëja problem, sepse ata donin vetëm të kalonin doganën të qetë e të vazhdonin punën e tyre në Shqipëri. Qetësia për të mbaruar secili punën e tij përbën ndoshta dhe hallin më të madh të çdo shqiptari të ndershëm sot, edhe pse kostoja për këtë është detyrimi për të mbyllur sytë e për të qetësuar nervin sa herë Kryeministri dhe banda e tij vjedh, vret, plaçkit e grabit ku të mundet. Nuk kam asnjë shpresë se punët në Qafë- Botë për udhëtarët e shkretë që iu bie rruga andej do të ndryshojnë për mirë, të paktën tani për tani. Por, ama, atë “traditën” e ryshfetit që shqiptarja e larguar prej 23 vjetësh e kishte harruar e që me kujdesin e doganierit e rikujtoi, të mos e pranojnë si një detyrim të përhershëm për të blerë komoditetin. Mbase kështu nuk do të pranojmë të gjithë bashkë as maskarallëqet e çdo qeverie dhe Kryeministri në kurriz të brezave, për të blerë përditshmërinë tonë “të rehatshme” në këtë kaos publik e kolektiv. Jam i sigurt që z. Kryeministër nuk do të lëvizë as gishtin për ata doganierët e Qafë- Botës. Me llogaritë e tij, ata thjesht i duhen. Por nuk i duhen askujt tjetër. Vendit akoma më pak.

© Panorama.al

Te lidhura