Shitja lirë dhe veresie

May 11, 2012 | 12:00

NEXHMEDIN SPAHIU

Para ca ditësh isha në një odë në një fshat të Drenicës dhe m’u shtrua pyetja se si i kemi punët me politikën. Në odat e Drenicës zakonisht përgjigjet jepen me mesele dhe ashtu u përpoqa të përgjigjem. Thashë: Ishte njëri që kishte tre djem dhe i dërgonte radhazi në pazar për ta shitur atë që kishin për të shitur.  Njëri prej tyre gjithnjë kthehej në mbrëmje pa e shitur mallin. E mbante shumë shtrenjtë dhe askush nuk ia blinte. Tjetri, sapo shkonte në pazar kthehej që me mëngjes, sepse e shiste menjëherë. Ofertën e parë që e merrte ia bënte për hair myshterisë dhe kthehej në shtëpi. Djali i tretë, kur shkonte në pazar, kthehej në mbrëmje. Ai gjatë gjithë ditës sheshonte ofertat dhe në fund e shiste për çmimin më të mirë të ofruar.
Njëri prej pleqve në odë tha: “Asnjani prej këtyne djemve s’paska qenë si qeveria e jonë”. Unë thash se qeveria e Kosovës është si ky i dyti, që po e shet mallin me ofertën e parë e po kthehet në shtëpi që me mëngjes. “Po, po, – tha plaku, – me ofertën e parë po se po, po edhe veresie po e jep”.
Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë
Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në Kosovë u bë në bazë të një kompromisi politik mes Prishtinës, Beogradit dhe Perëndimit. Kompromisi qe që Serbia të heqë dorë nga zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa Kosova ta shkelë Kushtetutën e vet dhe të shkojë përtej pakos së Ahtisarit, duke e shndërruar misionin e OSBE-së ambasadë të Serbisë në Kosovë.
Unë nuk jam që Kosova të zhvillojë një politikë rigide. Kjo do të thotë se Kosova duhet të bëjë kompromise. Dhe ky ishte një kompromis politik. Por a ishte ky një pazar i mëngjesit apo i mbrëmjes, është çështje që duhet diskutuar.
Plaku që e citova nga një odë e Drenicës ka plotësisht të drejtë. Jo vetëm që ishte pazar i mëngjesit, por edhe çdo gjë u dha veresie. Zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës u mbajtën edhe pse Beogradi paralajmëroi se nuk do t’i njohë ato.
Së pari, është e vështirë të besohet se zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës janë mbajtur pa lejen e Beogradit, sepse atëherë shtrohet pyetja: kush i financoi ato?
Dhe e dyta, premtimi se nuk do t’i njohë ato është një diçka “veresie”, sepse çka nëse pas një kohe i njeh ato. A do të thotë kjo se këto struktura të zgjedhura në këto zgjedhje nuk do të marrin rrogë nga Beogradi?
Shtetësia kosovare e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Me krijimin e Kosovës shtet, shqiptarët e Kosovës, si krijues e pronarë të këtij shteti, u bënë komb. Nuk janë më vetëm një komunitet etnik, por më tepër se kaq, janë komb që marrin përgjegjësi jo vetëm ndaj komuniteteve të tjera etnike që jetojnë në Kosovë, por edhe ndaj komuniteteve etnike shqiptare në shtetet tjera. Natyrisht, lindja e shtetit të Kosovës nuk ia heq përgjegjësitë Republikës së Shqipërisë ndaj komuniteteve etnike shqiptare kudo në botë, por shteti i Kosovës bëhet hisedar në këto përgjegjësi e obligime. Kur është fjala për shqiptarët e Preshevës, këtu Kosova ka më shumë përgjegjësi dhe obligime. Lugina e Preshevës frymon me Kosovën natyrshëm dhe Kosova ish dashtë që t’u jepte shtetësinë gjithë qytetarëve të Luginës që e duan atë.
Preshevarët, as më pak e as më shumë, nuk kanë kontribuuar në lëvizjen patriotike që rezultoi me lindjen e shtetit të Kosovës. Prandaj edhe e meritojnë ta kenë shtetësinë e Kosovës. Fakti që shteti i Kosovës nuk përfshin edhe territorin ku ata banojnë, nuk duhet të jetë arsye që t’i lërë ata pa shtetësi të Kosovës. Një shqiptar i Luginës së Preshevës mund të shtrojë pyetjen: pse një shqiptar i Kosovës të jetë pjesëtar kombi e ai të mos jetë veçse pjesëtar i një pakice etnike? Natyrisht që çdo fshat, çdo lagje e çdo familje ka asi që kanë kontribuuar më pak apo më shumë në lëvizjen që ka kulmuar në lindjen e shtetit të Kosovës, por në mesatare nuk mund të thuhet se ta zëmë, Novobërda, Kamenica e Vitia kanë kontribuuar më shumë se Presheva, Bujanoci e Medvegja.
Kështu, nëse OSBE ka marrë rolin e Ambasadës së Serbisë në Kosovë, do të mund ta merrte edhe rolin e Ambasadës së Kosovës në Serbi, ku do të merrej me organizimin e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Kosovës. Si duket, këtë mundësi, qeveria e Kosovës nuk e ka lënë as si veresie.

© Panorama.al

Te lidhura