Shitja e ishujve grekë, të pasurit turq me paratë gati

Aug 27, 2012 | 12:40
Ishulli grek Oksios, i blerë nga Katari për 5 miliardë euro

Gazetat flasin për “sulm” nga Turqia, grekët: Do t’i japim vetëm për 100 vjet.

Pasanikët turq kanë bërë gati paratë për blerjen e ishujve grekë, që pas deklaratës së Kryeministrit Antonis Samaras, se Athina mund të nxjerrë në shitje disa ishuj të pabanuar. Gazetat greke dhe turke po shkruajnë vazhdimisht për një “sulm” të sipërmarrësve turq për blerjen e ishujve grekë. Sipas një artikulli të publikuar në gazetën greke “Tipu tis kiriakis”, i cili i referohet një artikulli nga gazeta turke “Vatan”, ekziston një “sulm” i biznesmenëve turq drejt ishujve grekë. Shkrimi me titullin: “Sipërmarrësit turq fillojnë sulmin drejt ishujve grekë”, flet edhe për numrin e madh të biznesmenëve turq që do të marrin pjesë në ankandin e shitjes së 23 porteve dhe moleve në Greqi. Sipas anëtarit të bordit të kompanisë turke për investime “Global Yatirim”, kjo kompani gjatë procesit të privatizimit mund të ketë me vete në mënyrë simbolike edhe një partner grek. “Kjo kompani, e specializuar në ndërtimin dhe funksionimin e porteve, me kapital prej 350 milionë eurosh, nuk ka nevojë për një injeksion të kapitalit nga një bankë për të kryer investimin”, tha ai. Një tjetër i interesuar është grupi turk “Dogus Holding AS”, i cili ka paraqitur planet e tij për të blerë katër porte në Greqi. Ky grup synon Portin e Korfuzit, Portin e Lefkadës, dhe ato të Athinës e Peloponezit. Pas vrullit të kërkesave, qeveria greke tha se Fondi i Zhvillimit të Pronës shtetërore është duke zhvilluar procedurat, që këta ishuj t’u jepen privatëve për 100 vjet për “shfrytëzim komercial”, si akuakulturë, turbina ere, turizëm etj., dhe jo prona të përhershme.

Traktati i BE
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kërkon miratimin e një traktati të ri për Bashkimin Europian dhe po përpiqet të sigurojë mbështetjen e vendeve anëtare dhe partnerëve. Një prej propozimeve është Gjykata për mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e buxheteve. Gjykata Europiane do të ketë të drejtën për të mbikëqyrur buxhetet e shteteve anëtare dhe për të ndëshkuar ata që krijojnë deficite.

Paralajmërimi i Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar zyrtarët në koalicionin e saj që bëjnë thirrje për daljen e Greqisë nga eurozona, që të jenë të kujdesshëm me ato që thonë. “Çdokush duhet të peshojë fjalët e veta me shumë kujdes”, tha Merkel gjatë transmetimit në kanalin “ARD” dje, gjatë një interviste në Berlin. Ajo tha se qeveria greke po ndërmerr përpjekje serioze për të larë borxhin e vendit dhe përsëriti se Gjermania do të qëndrojë përkrah këtij vendi.

© Panorama.al

Te lidhura