Vila në Majami e kriminelit të famshëm, Al Kapone, shitet 9.9 milionë dollarë. Ajo doli në shitje pas makinës “legjendare” të tij. Makina e llojit “Cadillac” ishte e blinduar, me një xham të pasëm që mund të hapej për të mundësuar qëllimin me armë. Makina u projektua enkas për Kaponen dhe u hodh në ankand me vlerën fillestare 420 mijë dollarë. Ndërsa ankandi për shtëpinë do të nisë me 9 milionë e 950 mijë dollarë, por pritet të shkojë shumë më lart. Shtëpia, e stilit “Art deco”, u ndërtua në vitin 1922 me porosi të milionerit të pijeve alkoolike të asaj kohe, Klarens Bash. Por në vitin 1928, vila u bë e Al Kapones, i cili e bleu me një çmim simbolik. Sipas shtypit të asaj kohe, shitja ishte e detyruar pas kërcënimeve të shumta që kishte bërë Kapone.











