Nga paketa e hidrocentraleve që u ndanë si shoqëri anonime më vete, përmes një ligji të vitit të kaluar, duket se Lanabregasi do të jetë i pari që do të privatizohet. Sot pritet që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të nënshkruajë një marrëveshje me Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për privatizimin e këtij hidrocentrali. Kjo marrëveshje në fakt nuk është diçka e papritur, pasi është paraprirë nga një deklaratë më e hershme e ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, i cili dha detaje mbi faktin që Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës kishte shprehur interes për Lanabregasin. Gazeta mëson se çmimi dysheme që do të ofrohet për të blerë këtë vepër energjetike është mbi 13.1 milionë euro dhe kjo në bazë të gjendjes dhe vlerësimit që kanë dhënë ekspertët e pavarur për gjendjen e “aseteve” të këtij hidrocentrali. Shitja e kësaj vepre energjetike, e lokalizuar mbi lumin e Tiranës dhe me fuqi të instaluar 5 megavat, duket se do të jetë një e ardhur e mirë për qeverinë. Nga ana tjetër, më herët Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka deklaruar se kjo blerje do të ndikonte direkt te çmimi që sot paguajnë qytetarët për furnizimin me ujë. Përmes prodhimit vetë të energjisë, mendohet se do të kursehet një pjesë e shpenzimeve që shkonin për këtë zë. Në proces privatizimi janë edhe hidrocentralet Ulzë-Shkopet dhe “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”. Për Ulzë-Shkopetin, aktualisht janë bërë të ditura edhe kushtet që duhet të plotësojë investitori i interesuar për blerjen që lidhen si me kushtet financiare, ashtu edhe me eksperiencën që duhet të zotërojë ky investitor në fushën e menaxhimit të hidrocentraleve. Deri në fund të gushtit, sipas planit të METE-s, pritet që të ketë përfunduar gjithë procesi i privatizimit për Ulzë-Shkopetin. Për këto hidrocentrale, nga ana e Entit Rregullator të Energjisë është përcaktuar edhe çmimi me të cilin Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do t’u blejë energjinë që prodhojnë, sikurse veprohet edhe me hidrocentralet e tjera private në vend.











