Shërbimi Sekret shqiptar në këta 21 vjet nuk ka qenë një makinë e vajisur mirë. Sa herë lajmi i parë bëhet për SHISH, plasin akuzat nga më të larmishmet. Edhe rasti më i fundit, ai i shkarkimit të kryetarit Bahri Shaqiri dhe emërimi i Visho Ajazi Likës, e ka ngritur më shumë zhivën në termometrin e gushtit. Aq sa për një pjesë ky është krimi më i madh që ka ndodhur, ose më saktë, një krim që pritet të ndodhë në të ardhmen dhe që do dëmtojë rëndë demokracinë shqiptare, raportet me aleatët tanë strategjikë e të tjerë e të tjerë. Ndërsa për një pjesë të rafinuar, ajo që po ndodh, quhet biznesi politik i spiunimit. Por a janë argumente të forta ato që jepen për shkarkimin dhe emërimin në kupolën e SHISH? Si tifoz i shifrave, mendoj se janë të paktën nja 7 pika që dua t’i parashtroj në këtë histori që lindin nga përvoja ime si reporter dhe gazetar që kam mundur të ndjek dhe mbuloj nga afër ngjarjet që janë lidhur direkt apo në mënyrë indirekte me këtë Shërbim.
1.SHKARKIMI I SHAQIRIT, I DREJTË APO GABIM?
Ishte një opinion i saktë ai i 2005-s, kur Berisha iu qep me gurë në trastë SHISH-it sapo erdhi në pushtet. Deklaroi se do ta bashkonte me Ministrinë e Brendshme. Deklaroi se do bënte një reformë dhe se e gjithë kjo do ishte në funksion të qeverisjes që pritej të formatohej. Nuk ndodhi kështu për një fakt shumë të vogël: Shqipërua përgatitej të inkuadrohej në NATO dhe në një farë mënyre Shërbimi sekret shqiptar duhet të ishte zgjatim dhe pjesë natyrale e shërbimeve europiane dhe sidomos amerikane. Në këtë mënyrë edhe reformat në këtë Shërbim duhet të kalonin nga këto shërbime. Të paktë janë ata që e hedhin poshtë apo nuk e quajnë si meritë atë vlerë pozitive që ka treguar ky Shërbim shqiptar në raport me shërbimet e huaja aleate. Vetëm disa muaj në detyrë kishte Bahri Shaqiri dhe vendin tonë e vizitoi Porter Gos, shefi i CIA-s. Kësaj i shtohej edhe fakti se atë 24 qershor të 2005-s në kryeqytetin tonë bëhej një takim ekstra i krerëve të shërbimeve aleate të Europës Lindore. Notë më të mirë ndaj institucioneve Shqipëria nuk ka marrë. Por ngjarjet kanë rrjedhur dhe kjo puna e aleatëve tashmë është konsoliduar. Pas 7 vitesh nuk mund ta diskutosh më këtë raport me Shërbimin sekret amerikan dhe aleatë të tjerë. Ajo që Berisha apo cilido kryeministër që do të ishte në vend të tij, lidhet me atë që i shërben Shqipërisë brenda dhe jo jashtë saj. Duhet theksuar se, kur një kryeministër e ka jashtë shërbimit Shërbimin sekret, ç’mund të ndodhë… Gjithmonë këtu bëhet fjalë në aspektin pozitiv për ta pasur atë jo nën kontroll, por që të vjelë informacion të vlefshëm për të punuar. Unë nuk e imagjinoj dot personalisht Edi Ramën kryeministër pa një shef shërbimi që të mos informojë atë për problemet që ndodhin në vend. Akuzatorët në fakt nuk e kanë hallin këtu. Ata thonë se Berisha apo kushdo qoftë kryeministër, e përdor këtë Shërbim për të sulmuar opozitën. Ne mendojmë se kjo kohë ka kaluar dhe nuk mund të kthehet. Nuk e besoj kurrë që mund të ketë të krisur në këtë vend që e kthejnë orën në vitin 1996, kur SHIK-u ishte historia e burrave që ngjyenin gishtërinjtë në mjaltë.
2. KOHËZGJATJA E SHAQIRIT NË DETYRË
Kush mund të më thotë sa do të qëndronte në detyrë Bahri Shaqiri? E përsëris, ai është kryetari më i vlerësuar në këto 21 vite të Shërbimit sekret shqiptar, por çdo fillim detyre ka një fund. Nesër Shaqiri mund të jetë përsëri pjesë e administratës, madje edhe asaj të lartë, por qëndrimi i tij në krye të SHISH një ditë do kishte një fund. Ky është rregulli numër një në administratë.
3. KRYEMINISTRI DHE KRYETARI I SHSH
A mund ta kuptojmë një punë normale të kryetarit të qeverisë, kur ai nuk ka bashkëpunim me kryetarin e Shërbimit sekret? Është histori unikale ajo e Xhorxh Tened në SHBA, i cili punoi shtatë vjet në krye të CIA-s me dy presidentë, me demokratin Bill Clinton dhe me republikanin George Bush. Habia ishte se si Bush e mbajti në detyrë Tened, edhe pse ndodhi 11 shtatori i kullave. Mediat nxorën në atë kohë edhe një “servilizëm” të Tened, sapo Bush junior u bë president. Ai i vuri emrin godinës së CIA në Langley George Bush, për nder të të atit që dikur kishte qenë drejtor i CIA-s. Por të gjitha këto hamendësime i hodhi në kosh të plehrave Bush junior. Ai deklaroi publikisht se do të punonte me Tened për një arsye shumë të madhe: kishte besim tek ai. Në rastin tonë, ajo që presidenti Nishani tha, se nuk mund të pengonte Kryeministrin, ka një domethënie të madhe. Berisha kërkon të punojë me një drejtues SHISH-i që do ai dhe nuk ka asgjë të keqe. Ai nuk donte të punonte me Bahri Shaqirin.
4. PARAGJYKIMET PËR VISHO AJAZI LIKËN
Gjykimet dhe paragjykimet ndaj Visho Likës ua kanë lënë vendin dyshimeve, mistereve dhe enigmave. Akuza e parë: ai është i preferuari i Berishës. Po ku është e keqja që një kryeministër kërkon të punojë me atë që do ai? E tha në mes të Parlamentit francez ish-presidenti Sarkozi, sepse kundërshtarët po e akuzonin se kishte bërë emërime pak a shumë të këtij lloji. Po,- tha Sakrkozi. “Unë do emëroj atë që mendoj unë, prandaj kam ardhur në pushtet. Unë nuk jam zgjedhur president që të emëroj atë që do opozita”. Besoj se kjo vlen edhe për Visho Ajazi Likën. Problemi është nëse Lika do të shkelë apo jo ligjin. Kjo është një çështje krejt tjetër dhe askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë atë.
5. MËNYRA E SHKARKIMIT
Një akuzë është se shkarkimi u bë papandehur, i menjëhershëm, gati sa nuk u tha se ishte vrasje pa paralajmërim. Po nëse i kthehemi kohës së emërimeve të Koçollarit, të Gazidedes, të Klosit, të Myftarit, të Hysnejat dhe vetë Shaqirit, të gjitha kanë një formë dhe mënyrë emërimi. Asnjë nga ata nuk ka prishur rregullin dhe ky argument bie poshtë.
6. FIGURA E DYSHIMTË E LIKËS
Ka një akuzë për të nxjerrë elemente dhe detaje nga kryetari i ri, Lika. Nuk më duket argument shumë i fortë. Ne kemi dy modele deri tani në krye të këtij Shërbimi. Ai i Gazidedes, i cili deri sa të emërohej, nuk i kishte bërë asnjë të keqe një mize. Por pasi iku nga ajo detyrë, u akuzua për krime kundër njerëzimit. Kemi modelin e Fatos Klosit, një profesori të nderuar të Shkencave Ekzakte, por që kur iku u akuzua, për çfarë nuk u akuzua, për vrasje e trafiqe, akuza që nuk u vërtetuan kurrë. Dhe të mendosh se akuzat ndaj Klosit i kanë bërë socialistët, ata që e vunë në atë detyrë, ky model është kulmi!! Por kemi edhe një model si Shaqiri, që ishte një profesionist karriere në këtë Shërbim. Një drejtues që, pasi ka ikur nga ky Shërbim, merr vlerësim nga më pozitivët prej ndërkombëtarëve, por nga qeveria dhe kryeministri është cilësuar deri koka e puçit e 21 janarit me bazë të gjerë. Atëherë, ku duhet ta fusim Visho Ajazi Likën, te cili model? Një ish-punonjës karriere i këtij Shërbimi? Apo te një njeri që ka qenë model si student, siç thonë vetë ata që i kanë dhënë mësim te shkencat. Apo për background-in e tij që në këtë fakultet shkoi si kontingjent i Ushtrisë. Asaj armate për të cilën nuk diskutohen patriotizmi dhe cilësi të tjera. Apo si specialist e inxhinier, apo si zëvendësministër?
7. KRYETARET E SHISH ÇFARË NUK KANË THËNË
Shikoni se ç’ndodh nëse bëjmë një rezyme të deklaratave, prononcimeve dhe intervistave që kanë dhënë krerët e Shërbimit sekret. Kam nxjerrë në këta 22 vjet këto deklarime, të cilat edhe pse për një kryetar janë shumë të rralla, e për të tjerë mbushin faqe gazetash e ekrane televizionesh, ato tregojnë se çfarë kryetarësh Shërbimi sekret kemi pasur. Irakli Koçollari mbahet mend si njeriu që bëri kalimin nga Sigurimi i Shtetit në një Shërbim sekret në demokraci, të një vendi që nuk i kishte dalë ende narkoza e komunizmit. Dhe pas akuzave për zhdukje dosjesh, u arrestua dhe bëri afro 4 vjet burg. Bashkim Gazidede, një njeri që u emërua falë ndershmërisë për të cilën vuri dorën në zjarr Safet Zhulali, por e di edhe bufi që SHIK-u i 1992-1997 digjej nga dëshira për të përndjekur politikanët e opozitës. Në fakt, kjo fjalë ngjan shumë e ëmbël. Më saktë akoma, për të shtruar në dru këta politikanë e gazetarë që ishin kundër pushtetit. Ishte po Zhulali që u akuzua nga Gazidede për ngjarjet e ‘97-s. I graduar gjeneral me katër yje, Gazidede e humbi toruan. Ai nuk e pati parasysh rregullin e artë se, nëse je në gropë, mos gërmo më tej. Fatos Klosi është më moderni nga të gjithë kryetarët, e donin dhe e duan gazetarët me të cilët ai sillet lirshëm si me studentët e tij dhe për ata ai ishte dhe është një personazh magnetik. Por edhe Klosi nuk i shpëtoi përndjekjes, kur Nano e kërkonte për ta arrestuar për ca tallona nafte të harxhuara më shumë. Petrit Myftari pësoi shkarkimin pse zbatoi detyrën e tij, ndërsa Kujtim Hysenaj nuk pati shumë mundësi të tregonte aftësitë e tij fatkeqësisht nga sëmundja që e kapi dhe nga e cila vdiq në detyrë. Bahri Shaqiri duket më i paprekshmi, duke pasur si mburojë ndërkombëtarët. Por ja që erdhi një ditë dhe kjo mbaroi. Ashtu siç nisën, gati të gjithë kanë ndjekur një rregull të pashkruar. Duke vërtetuar se ende nuk kemi dalë shëndoshë nga regjimi komunist 45-vjeçar. Duke vërtetuar gjithashtu edhe një herë se zemra e Shërbimit sekret shqiptar nuk është godina kur dikur ishte shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej”, por zyra e kryeministrit të radhës.
© Panorama.alDEKLARATA TË BËRA PUBLIKISHT NGA KRERËT E SHËRBIMIT SEKRET SHQIPTAR 1991-2012
Irakli Koçollari, kryetar i SHIK 1991-1992/ Pjesë nga libri “Spiunazhi nëpër shekuj”.
“Për dy radiolojat e organizuara me sukses nga Sigurimi i Shtetit, specialistë të KGB-së sovjetike kishin shkruar një libër për përdorim të brendshëm. Libri, në formën e një historie, përshkruante gjithë planet, mashtrimet, kurthet, informacionet, kalimet ilegale të grupeve të armatosura të dërguara ilegalisht prej anglezëve dhe amerikanëve në territorin shqiptar. Në konkluzionet e tyre specialistët e KGB-së theksonin: “…i gjithë projekti, zbatimi dhe realizimi i këtij operacioni u përpunua dhe aplikua në terrenet e ashpra të këtij vendi, megjithëse i varfër, vetëm prej Shërbimit të Sigurimit shqiptar dhe njerëzve të tij”. “ Kjo tregon, konkludonin ata në mbyllje të librit, se ç’mund të bëjë edhe një Shërbim sekret i vogël dhe pa ndonjë përvojë të madhe, nëse ai është i vendosur të mbrojë atdheun, sovranitetin e tij…”.
Deklaratë në emisionin
“INTERVISTA NGA
ROLAND QAFOKU, 2012”
“Nga 10 milionë banorë që ka sot Greqia, 3 milionë janë arvanitas. Kjo shifër mbështetet jo vetëm në arkivat grekë por edhe turkë, venedikas e spanjollë. Arvanitasit janë shqiptarë të mesjetës që emigruan në Greqi në periudha të ndryshme, që nisin që nga viti 1300 e deri në fund të shekullit”.BASHKIM GAZIDEDE, kryetar i SHIK 1992-1997. Fjalim në Parlament për të raportuar mbi ngjarjet e vitit 1997 (26 mars 1997)
“Nikolas Gages është njohës i mirë i Shqipërisë së Jugut, pasi përveç të tjerave, ka qenë edhe 7 herë të tjera atje. Ka punuar dhe punon për bashkimin e gjithë vorio-epirotëve. Ka qenë shumë aktiv në organizimin dhe ndërkombëtarizmin e luftës për Vorio-Epirin”.
“Për të njohur sa më mirë gjendjen në Shqipëri, u infiltruan ish-oficerë të liruar të Ushtrisë e Policisë dhe të Sigurimit të Shtetit, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, i cili ka informuar sipas të dhënave të sakta që kemi për gjendjen e teknikës luftarake dhe vendndodhjen e armatimit, bazat ushtarake detare dhe çdo hollësi për Ushtrinë”.
“Se çfarë roli ka ish-ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali në këtë revoltë, nuk e them dot me siguri, por gjatë kohës që kam qenë komandant operacioni, mund të them se Ushtria shqiptare nuk vuri në dispozicion të këtij operacioni asgjë dhe nuk mund të shmanget përgjegjësia direkte e Safet Zhulalit, i cili kishte lënë në mëshirë të fatit depot e Ushtrisë”.
“Një nga problemet që ndihmoi realizimin e kësaj kryengritjeje ishin firmat rentiere. Duke shfrytëzuar psikologjinë e popullit shqiptar të varfëruar për 50 vjet, si dhe etjen për t’u pasuruar shpejt, fenomeni u përhap në të gjithë Shqipërinë”.
Deklaratë për median pas emërimit si zv/drejtor i Hipotekave, maj 2005
“Është kënaqësi të filloj përsëri punë në administratën shtetërore. Nuk e di se ç’kanë menduar ata që e kanë bërë këtë emërim, por unë mendoj se është një punë që kërkon djersë dhe përkushtim dhe këto nuk mungojnë tek unë”.
“Unë kam njoftuar një vit përpara ngjarjeve të vitit 1997 Bankën Kombëtare, Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë e Policisë Financiare, Prokurorinë e Përgjithshme jo vetëm për fajdet, por edhe për trazirat që priteshin”.
Intervistë për gazetën “Tirana Observer”, 18 qershor 2006
“Çdo punonjës që punon në Hipotekë, duhet ta ketë të qartë se është në punë për të regjistruar një pronë dhe jo për ta tjetërsuar atë”.
Intervistë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, 26 tetor 2006
“Ne u ndeshëm përballë një fakti që një pjesë e konsiderueshme dosjesh, mund të them një shifër të përafërt, rreth 10 mijë dosje, qenë asgjësuar në atë periudhë nga Ministria e Brendshme, dhe për sa kohë ishte dhe Sigurimi brenda Ministrisë së Brendshme, me firmën e z.Gramoz Ruçi. Në këtë shifër përfshihet dhe një pjesë e konsiderueshme dosjesh që ishin djegur nga Irakli Koçollari, në atë kohë shef i SHIK”.
“Sigurimi i Shtetit kishte mbi 120 mijë informatorë dhe, duke gjykuar se çdo informator kishte një dosje do të mendonim se kishte rreth 120 mijë dosje. Por duhet pasur parasysh se mjaft raste asgjësoheshin edhe pas një periudhe. Ishin dosje që, pasi mbaronte aktiviteti i informatorit, kishin afat ruajtjeje 10 vjet e 20 vjet, deri në 25 vjet. Pas kësaj periudhe asgjësoheshin. Quhej proces normal asgjësimi. Duke pasur parasysh këtë proces, unë mendoj se në kohen kur kam qenë drejtues në SHIK, duke hequr dosjet që ishin asgjësuar, ka pasur mbi 40 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit”.
“Ne dinim fare mirë,— e dinim periudhën kur Bin Laden ka qenë në Sudan dhe ku ishte Bin Laden. Domethënë kemi qenë të interesuar, sepse interesoheshim për lidhjet që ai mund të kishte në Shqipëri. Nuk na ka rezultuar ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë e Bin Ladenit në Shqipëri. Mendohej nga disa kolegë që nëpërmjet disa formave të ftohej në Shqipëri dhe të arrestohej, por sigurisht ishte një fantazi kjo”.
“Ne nuk kemi futur asnjëherë armë në Kosovë, për sa kohë kam qenë kryetar i SHIK-ut. Ka tentuar të fusë armë zoti Koçollari përpara meje dhe janë kapur nja 70 armë në kufi, së bashku me ata që i transportonin. Janë gjykuar në Kosovë në atë kohë nga organet serbe dhe ne kemi pasur deponimet e atyre që ishin të burgosur për këtë qëllim. Mundëm t’i siguronim”.
“Gramoz Ruçi ka qenë në proces hetimor në atë periudhë. Mund të kishte pësuar fatin e zotit Koçollari, për asgjësimin e dokumentacionit në Ministrinë e Brendshme, po ai përfitoi nga rasti që ishte me imunitet, dhe sapo i përfundoi, iku në Greqi. Nuk kishim arsye ta ndiqnim, dhe s’mund ta ndiqnim”.FATOS KLOSI, KRYETAR I SHISH 1997-2002 Intervistë në “Zëri i Amerikës”, gusht 2012-08-29
“Kryeministri ka dashur ta heqë zotin Shaqiri qëkur erdhi në vitin 2005. Madje, Kryeministri deklaroi se do ta kalonte Shërbimin Informativ nën Ministrinë e Brendshme, pra ka qenë një problem i vjetër i tij. U mundua shumë herë dhe të bën përshtypje jo pse e hoqi, por të bën përshtypje që sapo u caktua Presidenti i ri, ndoshta ishte nga detyrat e para që kishte marrë përsipër. Unë jam i sigurt që marrëveshja për t’u bërë President ka pasur brenda edhe heqjen e drejtorit të Shërbimit Informativ. Dhe Presidenti para ca ditësh na bëri deklaratën që është kompetencë e Kryeministrit, që ishte e gabuar, ai u ngut për të thënë që unë do ta heq drejtorin e Shërbimit dhe sot më në fund e hoqi”.
Intervista në
“Gazeta Shqiptarja.com”, gusht 2012
“Takimi mes Arkanit dhe Bashkim Gazidedes ka qenë shumë i vërtetë. Remzi Hoxha e ka pas ditur këtë ngjarje. Është plotësisht i vërtetë dhe e di nga burimi i kontaktit. Takimi është zhvilluar, këtë e di me siguri”.
Intervistë në gazetën
“Shekulli”, mars 2012
“Dosje të Sigurimit të Shtetit që mund të jenë interesante dhe që kanë lidhje me politikanët e sotëm, janë asgjësuar. Në kohën kur isha në krye të SHISH, oficerët më raportonin për dosje që i kishin parë, por që nuk gjendeshin më. Megjithatë, për mendimin tim, ato që kanë mbetur janë dosje që nuk besoj se do të çudisin politikën shqiptare”. Qëndrimet për hapje dosjesh i mban Berisha për të çoroditur politikën në vend. Që pas viteve ’90 është folur shpesh për hapjen e dosjeve, por këto debate janë hapur dhe mbyllur nga Sali Berisha. Sa herë ka dashur të tërheqë vëmendjen, ai del dhe flet për këtë temë, por në fakt asnjëherë nuk ka dashur të bëhen publike dosje të tilla. Po të ishte ashtu, Berisha që në fillim të qeverisjes së tij ka qenë i gjithëpushtetshëm dhe ka pasur të tërë instrumentet në dorë, do i kishte bërë publike”.
Intervistë në revistën
“Mapo”, mars 2006
“Është një opinioni im, por jo vetëm imi dhe jo vetëm i përmendur në shqip, që politika ka rezerva të qarta ndaj SHISH dhe nuk është e interesuar për funksionimin normal të institucionit. Dhe këto rezerva i ka krijuar ajo pjesë e politikës vendimmarrëse që ka gjëra për të fshehur”.
“Në datën 8 shtator 1998, zyrtarisht kemi paralajmëruar strukturat shtetërore dhe vetë deputetin e ndjerë, Azem Hajdari, për atë që pritej të ndodhte. Sinjalet e para i kishim marrë nga Tropoja. Për të qenë më të qartë, duhet të rindërtohet dhe një herë tabloja e asaj kohe. Në Tropojë kishte dy grupime, armiqësorë me njëri–tjetrin, që me zhargonin e politikës mund të themi që ishin të majtë dhe të djathtë. Të parët e konsideronin Hajdarin si të përzier në një vrasje të ndodhur në Tropojë dhe kishin vendosur të hakmerreshin. Fillimisht menduam se ishin vetëm fjalë dhe paralajmërime, por më pas gjërat u bënë shumë më serioze, kur nisëm të marrim informacione se ata po organizoheshin në mënyrë konkrete. Po caktoheshin njerëz dhe po grumbulloheshin mjete. Nuk ishte e thjeshtë të mbërrihej deri në vrasjen e një deputeti nga më të njohurit e vendit si Azemi, ndaj për vrasësit e tij nuk ishte punë e lehtë. Atëherë ne u bëmë shumë më të vëmendshëm. Paralajmëruam strukturat shtetërore, por dhe vetë Azemin, dhe e theksoj, këtë e kemi bërë që katër-pesë javë përpara se të ndodhte atentati. Më ka mbetur e ngulitur në mendje një intervistë e Azemit vetëm një javë përpara se të vritej, kur për herë të parë SHISH falënderohej prej tij për punën serioze që po kryente. I mësuar me kërcënime të tilla Azemi, edhe pse i paralajmëruar prej nesh, nuk është se i dha shumë rëndësi kohët e para këtij kërcënimi, por ai nisi të shqetësohej seriozisht, kur mësoi se dhe një pjesë e politikës mund të ishte e interesuar për vdekjen e tij”.
Ne e paralajmëruam vrasjen e deputetit Hajdari. Grumbulluam të gjithë informacionin e mundshëm dhe madje e njoftuam dhe vetë Azemin, por ndodhi ajo që ndodhi”.
Intervistë në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, 14 tetor 2006
“Shtatë deputetë të Parlamentit dhe disa anëtarë aktualë të Këshillit të Ministrave kanë dosje. Nëse vendoset rihapja e dosjeve, atëherë këta ministra janë të detyruar të largohen nga funksionet që mbajnë aktualisht. Gjatë viteve ‘92-’97 Gazidede qëmtoi dosjet e politikanëve më të rëndësishëm, oficerët janë gjallë dhe mund të dëshmojnë”.
19 prill 2002, kur Berisha me Nanon po diskutonin për mundësinë e emërimit president të Artur Kukos, ambasador në NATO, kamerat kanë fiksuar Fatos Klosin që kaloi aty pranë, i cili u akuzua për përgjim të bisedës. Vetë Klosi u përgjigj për gazetarët: “Kalova nga kurioziteti si një qytetar i thjeshtë”.
Intervistë për gazetën kosovare
“Epoka e re”, qershor 2006
“SHISH bindi Perëndimin se UÇK nuk ishte terroriste. SHISH VURI KONTAKTET MES UÇK-SË DHE PERËNDIMIT”
“Celularët cenojnë sigurinë kombëtare. Sekretet e telefonatave tona dërgohen në Greqi”.
“Ish-Jugosllavia ka pasur një potencë të madhe dhe një ndikim të padiskutueshëm në Ballkan. Sigurisht që regjimi i diktatorit të Serbisë, Sllobodan Millosheviçit, ka pasur agjentë edhe në Shqipëri. Madje, mund të them se ishin me dhjetëra. Duke pasur një pushtet të madh ekonomik dhe politik, Millosheviçi ka rekrutuar agjentë në të gjitha vendet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë. Sigurisht që agjentët e Sllobodan Millosheviçit në Shqipëri kanë qenë të niveleve të ndryshme, pa përjashtuar as zyrtarë të rangut të lartë. Shërbimi Informativ Kombëtar, sot Shërbimi Informativ Shtetëror, i ka ndjekur një pjesë të këtyre personave”, theksoi Fatos Klosi.
Intervistë për gazetën
“Shqiptarja.com”, 2012
“Takimi mes Arkanit dhe Bashkim Gazidedes ka qenë shumë i vërtetë. Remzi Hoxha e ka pas ditur këtë ngjarje. Është plotësisht i vërtetë dhe e di nga burimi i kontaktit. Takimi është zhvilluar, këtë e di me siguri. Por mendoj se në këto kohë këto janë tema që s’të çojnë asgjëkund. Nuk vërtetohet asnjëherë në mënyrë precize”.KUJTIM HYSENAJ,
KRYETAR I SHISH 2002-2004
Deklaratë në analizën e punës së SHISH, ku merr pjesë edhe kryeministri Fatos Nano. 2003
“Jemi një institucion që e bazojmë veprimtarinë mbi bazën e ligjit. Kemi një bashkëpunim të frytshëm me shërbimet e vendeve perëndimore”.PETRIT MYFTARI, KRYETAR I SHISH 2004 Intervistë në revistën “Mapo”, 2006
“Në media, por dhe nga segmente të caktuara të politikës, zonja Xhoana Nano ishte akuzuar për lidhje me agjenturën e një vendi fqinj, Greqinë, ku ajo kishte jetuar për një periudhë kohe. Duke zbatuar ligjin, u kërkova të gjithë drejtorëve të arkivave që ishin në varësi të Shërbimit, të kontrollonin për të dhëna të tilla të mundshme. Mbas këtij kontrolli nuk rezultoi asgjë e tillë. Por ndërkohë, urdhri im ishte mësuar nga kryeministri. Ai më kërkoi në zyrë dhe, dukshëm i pezmatuar, më pyeti se si ishte e mundur që as për një gjë të tillë, kaq drejtpërdrejt e lidhur me vetë atë, nuk e kisha vënë në dijeni. Kryeministri ishte i pakënaqur dhe më kërkoi që një përgjigje të tillë ta jepja edhe me shkresë zyrtare. “Është e pamundur, i thashë, për të prodhuar një shkresë të tillë, më duhet një shkresë zyrtare nga ju. Vetë e kam të pamundur të jap një përgjigje zyrtare pas një kërkese gojore”, iu përgjigja atëherë, dhe po atë moment (ishte pothuaj mesnatë) kjo shkresë m’u dha në dorë. Kështu që mund të them se marrëdhëniet me kryeministrin e kohës i kam pasur zyrtare, korrekte dhe të ftohta, por që për vetë kushtet e vendit janë të papranueshme, sepse fatkeqësisht Shërbimi është konceptuar në funksion të pushtetit dhe jo të shtetit. Si të tilla, këto marrëdhënie, patjetër do të jepnin ndikimin e tyre edhe në të nesërmen.
“Politika i ka shfrytëzuar dosjet në mënyrën më të keqe të mundshme, ndaj një filtër i tillë është krejt i domosdoshëm. Edhe përpjekjet e mëparshme për ta krijuar këtë filtër kanë qenë ose të mangëta, ose të paragjykuara sërish mbi qëllime politike. Në parim jam absolutisht kundër hapjes së dosjeve, ato nuk janë pasuri politike, janë pasuri kombëtare dhe duhet të përdoren (jo të hapen) vetëm për këtë qëllim dhe me ligj”.BAHRI SHAQIRI, KRYETAR I SHISH 2005-2012
Deklaratë për mediat pas takimit me shefin e CIA-s, Porter Gos, në Konferencën e Shërbimeve informative të Evropës Juglindore, në hotel Sheraton, Tiranë, 27 qershor 2005.
“Me shefin e CIA-s, Porter Gos, është diskutuar për ecurinë e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh, si dhe perspektivën e tij. Pjesëmarrësit kishin dhënë vlerësime pozitive për parametrat e lartë të sigurisë në Shqipëri në luftën kundër terrorizimit dhe krimit të organizuar, si dhe fillimin e frymës së bashkëpunimit dhe rolin në stabilitetin rajonal”.
Deklaratë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, 22 nëntor 2010
Me këtë buxhet të programuar nga qeveria do jetë e pamundur të blihen pajisjet e reja logjistike. Kemi amortizim të lartë të pajisjeve aktuale në dispozicion të shtetit shqiptar.
Prononcim për revistën
“Java”, 12 gusht 2012
“Po me Visho Ajazi Likën u takuam në mënyrë normale. Dorëzova detyrën sipas ligjit dhe u largova. Kisha planifikuar të largohesha me pushime dhe e bëra një gjë të tillë pasi përfundova detyrimin e fundit institucional. Nuk e dija që do të kishte një dekret të tillë sot”.VISHO AJAZI LIKA, KRYETAR I SHISH 2012 NË VAZHDIM
Në faqen zyrtare të SHISH, gusht 2012
“Shërbimi Informativ i Shtetit është organ informativ i depolitizuar, që kryen veprimtarinë e tij në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe ka për mision sigurinë e interesave kombëtare të vendit, ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues”.












