Sherri për pronën, 2 të vdekur

Jul 13, 2011 | 11:37
Policia në vendin ku ndodhën vrasjet

Sherri për pronën në Kallmet të Lezhës shkakton dy viktima. Dy protagonistët e konfliktit kanë humbur jetën mbrëmjen e djeshme.Konflikti mes tyre ishte i hershëm dhe siç ishin shprehur më parë, “vetëm pushka do t’i ndante punët”. E në fakt sherri për një copë tokë shkaktoi dy të vrarë, duke sjellë tragjedi për familjen e Preng Brungës, 62 vjeç dhe Pjetër Pjetrit, 47 vjeç. Sipas Policisë, i pari që ka qëlluar ka qenë Pjetri, duke lënë të vdekur në vend fqinjin e tij, Brunga. Kur ka parë të atin pa jetë, djali i tij, Ylli Brunga, 21 vjeç, ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar autorin 47-vjeçar Pjetër Pjetri, duke i shkaktuar dhe atij vdekjen.
Policia mësohet se ka ndërhyrë vetëm pas përfundimit të konfliktit të armatosur, pasi më parë, asnjë prej familjeve apo përfaqësuesve të fshatit nuk e kishte vënë në dijeni për çka po ndodhte në mënyrë që të zgjidhej mosmarrëveshja. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se ka qenë ora 19:30 minuta edhe momenti kur ka ndodhur konflikti me armë. Dy fqinjët, Preng Brunga dhe Pjetër Pjetri, kishin kohë që ishin në konflikt me njëri-tjetrin. Burime të Policisë thonë se Brunga pretendonte se Pjetër Pjetri i kishte bllokuar një rrugë kalimi për në shtëpinë e tij, në një gjatësi prej rreth 100 metrash, me pretendimin se ishte në pronën e tij. Të dy janë përfshirë në debate të vazhdueshme, pasi asnjëri nuk toleronte tjetrin. Ky konflikt mes dy familjeve ishte i njohur nga kryepleqësia e fshatit dhe komunës, megjithatë kishte qenë e pamundur të bindej Pjetër Pjetri të hapte rrugën. Në këto kushte edhe ditën e djeshme dy bashkëfshatarët e Kallmetit janë përplasur mes tyre. Kjo ndodhi rreth orës 19:00, ku objekt ishte sërish rripi i tokës që përshkonte Brunga për në banesë. Debati i djeshëm ka qenë fatali, pasi Pjetër Pjetri ka marrë një armë zjarri, çifte, dhe ka qëlluar me të në drejtim të Pjetër Brungës. Ky i fundit mbeti i vdekur në vend. Por, pa arritur që autori të largohet, i biri i viktimës ka marrë hakun duke e qëlluar Pjetrin. Për shkak të plagëve të shumta të marra, 47-vjeçari është transportuar për në Spitalin e Lezhës e më pas atij ushtarak. Gjatë rrugës, pikërisht në afërsi të fshatit Larushk të Krujës, ai ndërroi jetë. Policia e Lezhës, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes me shpejtësi, konfirmoi faktin se krimi i dyfishtë kishte lidhje me debatin për pronësinë e një rruge kalimi mes dy fqinjëve. Pas verifikimit të rrethanave të ngjarjes, ata kanë zbuluar se një prej viktimave ishte qëlluar nga djali 21-vjeçar i tjetrit, pikërisht Ylli Brunga, i cili u arrestua menjëherë.

Hakmarrja

Jo vetëm së gjalli, por dhe së vdekuri ekziston frika e hakmarrjes. Policia e Lezhës e ka pasur parasysh këtë fakt kur dy viktimat i ka ndarë, duke bërë dërgimin e Pjetër Pjetrit në morgun e Spitalit të Laçit, ndërsa trupin e pajetë të Pjetër Brungës, në atë të Lezhës. Kjo, për të shmangur ndonjë tjetër përplasje mes dy familjeve, të tronditur për humbjen e njerëzve të tyre. Në ndihmë të Policisë së Lezhës kanë shkuar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura