TIRANE – Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë nga goditjet me gërshërë e kaçavidë, pas një debati për parkimin e makinës me 3 adoleshentë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, pranë kryqëzimit të Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha”, në Tiranë. I plagosuri është Edson Gjoka, djali i komandantit të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr.4, Kol Gjoka dhe banojnë vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes. Po aty ndodhet edhe një servis makinash, ku ishin të punësuar si mekanikë tre autorët e ngjarjes, dy 16-vjeçarë që janë shpallur në kërkim nga policia dhe 14-vjeçari i arrestuar, E. Xhetani. Konflikti mes adoleshentëve dhe 20-vjeçarit Gjoka ka nisur për makinën që i dëmtuari e kishte parkuar para servisit ku ata punonin. Ata kanë pretenduar se automjeti i parkuar aty u kishte penguar punën, pasi bllokonte hyrjen për makinat që mund të drejtoheshin në servis për riparimin e ndonjë defekti. Me këtë pretendim ata i kanë thirrur Edson Gjokës që të dilte nga shtëpia dhe të lëvizte makinën, pasi u kishte penguar punën. Ndërsa i dëmtuari u ka thënë që të prisnin vetëm pak minuta, pasi bashkë me familjen po përgatiteshin për të shkuar në një dasmë dhe shumë shpejt do të largohej makina nga aty. Në fakt, adoleshentët nuk e kanë mirëkuptuar dhe i kanë kërkuar me tone të larta që të zbriste menjëherë poshtë. Në momentin që Gjoka ka zbritur për të lëvizur automjetin, 3 adoleshentët i janë afruar dhe mes tyre ka nisur një debat i ashpër, derisa autorët kanë nxjerrë nga xhepat kaçavida e gërshërë, duke goditur disa herë në trup 20-vjeçarin. Një nga goditjet me gërshërë ka qenë shumë pranë zemrës së Edson Gjokës dhe e ka rrëzuar pa ndjenja në tokë. Menjëherë pas ngjarjes, autorët janë larguar me nxitim, ndërsa oficeri i Policisë së Tiranës, babai i të plagosurit, e ka transportuar djalin me urgjencë në Spitalin Ushtarak, në gjendje mjaft kritike për jetën. Mjekët thanë se pas ndërhyrjes kirurgjikale, gjendja shëndetësore e Edson Gjokës është përmirësuar, megjithatë mbetet delikate dhe mjaft e rëndë. Ai vazhdon të jetë i shtruar në reanimacionin në Spitalit Ushtarak. Ndërsa Policia ka mundur të arrestojë njërin nga autorët e dyshuar të ngjarjes, 14-vjeçarin E. Xhetani, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Policia tha se tre adoleshentët akuzohen për “vrasje të mbetur në tentativë” të kryer në bashkëpunim.











