BALLSH/ Arrestohet 19-vjeçari. Adoleshenti në gjendje të rëndë.
Vuri në profil foto të përbashkët: Fshije se kam dalë keq.
BALLSH- Një fotografi e vendosur në Facebook degjeneroi me plagosje me thikë ndërmjet dy adoleshentëve në qytetin e Ballshit. Sipas Policisë, 18-vjeçari me inicialet E.A. mbeti i plagosur, pasi u qëllua pesë herë me thikë nga shoku i tij, Shefit Salaj, 19 vjeç. Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Ballshit, në një qendër interneti, ku ka hyrë një grup bashkëmoshatarësh me qëllim për të kontrolluar adresat e tyre në rrjetin social Facebook dhe disa të tjerë për “chat”. Por pasi kanë hapur secili profilet e tyre, 19-vjeçari Shefit Salaj është acaruar me shokun e tij E.A.. Shkak ishte një foto që kishte vendosur ky i fundit me një grup shokësh në profilin e tij, përfshirë këtu edhe Salajn. Burime të policisë bënë të ditur se në momentin e ngjarjes kanë qenë pesë djem, bashkëmoshatarë dhe shokë me njëri-tjetrin. Pas krimit, ku mbeti i plagosur me thikë 18-vjeçari, blutë kanë marrë në pyetje dëshmitarët. Grupi i adoleshentëve ka dëshmuar në polici se gjithçka kishte nisur si pasojë e një fotoje që kishte vendosur miku i tyre, E.A. “sapo hapëm profilet, pamë që ai kishte vënë një foto ku ne kishim dalë të gjithë bashkë. Papritur, Shefit Salaj reagoi ashpër duke kërkuar me ngulm që të hiqet fotoja. Ai thoshte se kam dalë keq në këtë foto, ndaj duhet ta fshish. Por E.A. nuk pranoi, duke i thënë se ishte profili i tij dhe se me të bënte çfarë të donte vetë”. Kështu kanë pohuar në polici bashkëmoshatarët e të plagosurit, të cilët kanë qenë prezent në momentin e ngjarjes. Sipas tyre, pas debatit ndërmjet dy shokëve në qendrën e internetit, papritmas Salaj ka nxjerrë një thikë duke e qëlluar disa herë 18-vjeçarin. Gjithçka ndodhi shumë shpejt pa u lënë atyre mundësi të ndërhynin për të evituar përdorimin e armës së ftohtë. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por autori ishte larguar. I plagosuri u dërgua në spitalin e Fierit, pasi gjendja e tij ishte mjaft e rëndë. Burime spitalore bënë të ditur se 18-vjeçari kishte marrë pesë plagë me thikë në pjesën e shpinës dhe të barkut. Duke parë se gjendja e të plagosurit po rëndohej, mjekët e Fierit kanë vendosur ta dërgojnë atë me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një trajtim më të specializuar. Pas ngjarjes që ndodhi në orët e mesditës, blutë e Ballshit janë vënë në ndjekje të autorit dhe kanë arritur ta arrestojnë atë disa momente më vonë. Mësohet se i riu është prangosur në aksin nacional Ballsh-Fier. Ai kishte dalë në rrugën kryesore në tentativë për t’u larguar me mjete të rastit drejt qytetit të Fierit, ku do të strehohej më pas tek të afërm të tij. Ndaj 19-vjeçarit rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje, si dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. m.r











