Sherri me Rozanën, Akuza apelon pafajësinë e Rezarta Shkurtës

Jul 3, 2012 | 13:40
Rezarta Shkurta dhe Rozana Radi

Tirane – Prokuroria kërkon në Gjykatën e Apelit dënimin e këngëtares Rezarta Shkurta me akuzën e plagosjes së Rozana Radit. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të shpallë të pafajshme këngëtaren Rezarta Shkurta, duke rrëzuar akuzën e ngritur ndaj saj nga Prokuroria për plagosje. Organi i akuzës në pretencë kishte paraqitur, veç dëshmive, edhe një raport mjekësor të pakundërshtuar nga Rezarta Shkurta dhe avokati i saj, ku thuhej se Rozana Radi ka pësuar dëmtime fizike që klasifikohen plagosje. Po kështu, Prokuroria pati kërkuar dënimin e Rezarta Shkurtës me 82 orë punë në shërbim të komunitetit. Por, Gjykata e Tiranës vlerësoi se nga deklarimet e efektivave të Policisë që kishin shkuar në vendngjarje pas mesnatës së 6 dhjetorit 2010, skena e ngjarjes nuk ishte e qartë dhe Rezarta Shkurta nuk mund të dënohej. “Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë është bërë ankim në Gjykatën e Apelit”, kanë thënë dje burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, grupi i hetimit nuk është dakord me vendimin e pafajësisë të dhënë nga Gjykata e Tiranës pasi në dosje ndodhet një raport mjekoligjor i pakundërshtuar, që thekson se Rozana Radi ka pasur dëmtime të dukshme fizike pas përplasjes me Rozana Radin. Incidenti mes dy këngëtareve ndodhi në dhjetor 2010 pak muaj pas pjesëmarrjes së tyre në spektaklin “VIP Shpija” në Kosovë. Aty dy këngëtaret patën debate që vazhduan edhe jashtë këtij programi. Sipas Prokurorisë, në datën 6 dhjetor 2010, Rezarta Shkurta ka telefonuar Rozana Radin. “Në datën 05.12.2010, në orët e vona të natës dhe në orët e para të datës 06.12.2010, Rezarta i ka kërkuar takim Rozanës. Ato janë takuar afër Liqenit të Thatë në zonën e Kopshtit Zoologjik. Rozana ka qenë në makinë dhe në këtë moment Rezarta e ka qëlluar me grushte Rozanën. Kjo kishte pak kohë që kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe po mbronte me duart e saj pjesën e bustit të trupit, në një kohë që kishte lënë të zbuluar pjesën e fytyrës, ku dhe ka marrë goditje me grushte nga Rezarta Shkurta”, thuhet në pretendon e Prokurorisë në Shkallën e Parë.

© Panorama.al

Te lidhura