Sherri me policët, Kostandin Xhuvani dënohet 2 muaj burg

Feb 7, 2012 | 11:59
Kostandin Xhuvani

TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi dje me 2 muaj burg Kostandin Xhuvanin, djali i artistëve Gjergj e Luiza Xhuvani, i cili prej 3 muajsh po vuan një dënim për “vrasje”. Një trupë gjykuese e deklaroi Xhuvanin të fajshëm për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”. Xhuvani goditi me grusht një punonjës policie në paraburgimin 302 në Tiranë, në korrik të vitit 2011, teksa ishte i paraburgosur për llogari të hetimit të tij për “vrasje”. Me dy seanca gjyqësore gjyqtarja Regleta Panajoti i dha fund dje shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të Kostandin Xhuvanit. Një seancë më parë, gjyqtarja pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Xhuvani për gjykim të shkurtuar. Në seancën e djeshme, gjykata ftoi palët për të paraqitur diskutimet e tyre  përfundimtare në lidhje me dosjen. Pasi dëgjoi palët dhe u tërhoq në dhomën e këshillimit, gjyqtarja vendosi deklarimin e fajshëm të Xhuvanit për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”.  Vendimi i gjykatës ishte i njëjtë me kërkesën e bërë nga Prokuroria në diskutimin përfundimtar. Xhuvani u dënua me 3 muaj, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, në dënimin përfundimtar ai përfitoi uljen e një të tretës të masës së dënimit. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Xhuvani ka goditur një punonjës policie të burgut 302, i cili do t’i bënte atij kontroll fizik, kontroll që po e ushtronte tek të gjithë të paraburgosurit. “Kur i ka ardhur radha Xhuvanit, ai nuk ka pranuar dhe ka goditur me grusht gardianin”, u shpreh prokurori. Referuar kërkesës për gjykim, në ndihmë të gardianit kishte shkuar një koleg i tij, por edhe ai ishte goditur me grushte nga Xhuvani. “Gjatë hetimeve, i pandehuri Xhuvani ka mbajtur qëndrim mohues”, u shpreh prokurori. Ndërkohë, në seancat gjyqësore avokati u shpreh se Xhuvani nuk ka mohuar ngjarjen, por vetëm dispozitën ligjore të akuzës. Në nëntor të viti 2011, Kostandin Xhuvani u dënua me dy vjet burg për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, në dëm të Alfred Musabelliut, ngjarje e ndodhur më 12 shkurt 2011. Një inspektim i Ministrisë së Drejtësisë gjeti një sërë shkeljesh të rënda të kryera në fazën e hetimeve ndaj tij.                                ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura