Një deputet i opozitës laburiste në Britani u arrestua nga policia në orët e vona të së mërkurës pas një sherri me grushte me disa deputetë konservatorë. 51-vjeçari Erik Xhojs ka goditur me grushte disa deputetë, përfshirë Stuart Andrju, i cili ka marrë goditje në kokë. Ngjarja ka ndodhur në barin e Parlamentit, “Strangers Bar”. Gjatë incidentit janë hedhur edhe gota dhe shishe pijesh. Një zëdhënës i Policisë tha se “policia u thirr në orën 10:50 të mbrëmjes në barin e Parlamentit”. Xhojs është deputet që nga viti 2000, me një karrierë ushtarake përpara se të hynte në politikë. Në vitin 2010 ai dha dorëheqjen nga posti i zv.ministrit të qeverisë hije për Irlandën e Veriut, duke pranuar fajësinë për refuzimin e fryrjes së tubit për alkoolin ndërkohë që i jepte makinës, duke u gjobitur me 400 paund.











