Sherri, Lala pezullohet një javë te Hanover

Feb 15, 2012 | 11:47
Altin Lala

Altin Lala është i pezulluar për një javë nga trajneri i tij, Mirko Slomka. Kaq i ka kushtuar veteranit shqiptar të Hanoverit sherri i pardjeshëm në stërvitje me zëvendëstrajnerin, pas një acarimi me një nga lojtarët e rinj të skuadrës. Edhe pse vetëm një orë pas incidentit mesfushori shqiptar i kërkoi publikisht të falur si zëvendëstrajnerit por edhe shokut të skuadrës, tekniku Slomka vendosi që të paktën ta dënonte me pezullim, duke i kursyer gjobën. Kjo do të thotë se Altin Lala nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës ndaj Klub Bryzhit, takim që do luhet në Hanover në orën 21:05. Po ashtu, 36-vjeçari nuk do të luajë ndeshjen e radhës në Bundesligë, në shtëpi ndaj Shtutgartit, të dielën. Mediat gjermane raportojnë se nuk pritej një gjaknxehtësi e tillë nga lojtari më i vjetër i Bundesligës, por duket se tipi i Lalës mbetet i veçantë. Për ndeshjen e Ligës së Europës, pritet që të vijnë tre mijë tifozë të Bryzhit nga Belgjika dhe Policia gjermane është e shqetësuar për situatën që mund të krijohet.

© Panorama.al

Te lidhura