Një 35-vjeçar përplasi qëllimisht me makinë djalin e xhaxhait, pas një konflikti pronësie.Mosmarrëveshja që nuk zgjidhej prej disa ditësh mes fqinjëve është “zgjidhur” në mënyrën më tragjike mbrëmjen e djeshme në periferi të Tiranës, me pasojë vdekjen e një 50-vjeçari. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, në rrugën e vjetër të fshatit Marikaj, në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, dyshohet se 35-vjeçari Gazmend Çeka, pas një debati që ka zhvilluar në rrugë me kushëririn e tij, shtetasin Pëllumb Çeka, 50 vjeç, e ka përplasur për vdekje këtë të fundit me makinën tip “Benz”, me targë TR 3675 N. Të njëjtat burime të policisë nga vendi i ngjarjes kanë thënë se viktima në atë moment ka qenë duke shkuar në punë, pasi ishte roje në një prej fabrikave në autostradë. Ndërsa po kalonte në rrugë, 50-vjeçari është thirrur nga kushëriri i tij, shtetasi Gazmend Çeka, për të ndaluar. Pasi kanë debatuar për disa minuta, autori ka hipur në makinë dhe e ka lënë 50-vjeçarin që të vazhdojë rrugën në drejtim të punës së tij. Por, skenari i menduar nga 35-vjeçari nuk kishte përfunduar. Ndërsa 50-vjeçari ecte në këmbë në rrugë, pasi ai ishte larguar disa metra, Gazmend Çeka i ka dhënë gaz makinës dhe e ka përplasur të afërmin e tij. Policia në vendin e ngjarjes tha se nga përplasja e fortë viktima ka përfunduar sipër kofanos së mjetit dhe më pas ka rënë pa jetë në vend.
Dëshmitarët
Këto kanë qenë të dhënat që kanë deklaruar për policinë disa dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Pas aksidentit të qëllimshëm, i dyshuari për ngjarjen mësohet se është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga të dhënat e para hetimore, policia tha se dy kushërinjtë kanë pasur një mosmarrëveshje të mëparshme për një truall që ndodhet mes fshatrave Gërdec dhe Marqinet. Burimet e policisë sqaruan se viktima, 50-vjeçari Pëllumb Çeka, kishte rënë dakord me disa persona për ta shitur truallin, ndërsa djali i xhaxhait të tij, Gazmend Çeka, pretendonte të përfitonte një pjesë të parave që do të merreshin nga shitja e tokës. Ai ka pretenduar se i përkiste një pjesë e parave, me argumentin se kishte pjesë në tokën që do të shitej. Ky dyshohet se ka qenë shkaku i konfliktit që dy kushërinjtë kanë pasur me njëri-tjetrin dhe, sipas policisë, për të njëjtin problem kanë debatuar edhe mbrëmë në rrugë para se të ndodhte aksidenti. Sapo kanë marrë njoftim për atë që kishte ndodhur, drejt vendit të ngjarjes janë nisur efektiva të Policisë Rrugore të Durrësit dhe të Tiranës, ndërsa 50-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak. Më pas, drejt vendngjarjes janë nisur edhe efektiva të Komisariatit Nr.6 të Tiranës, si dhe ekspertë kriminalistë. Nga dëshmitë dhe gjurmët e fiksuara në vendin e ngjarjes është konstatuar se aksidenti është i qëllimshëm. Autori tashmë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Gjatë natës, oficerët e policisë kanë negociuar nëpërmjet telefonit me autorin, në mënyrë që ai të dorëzohej.
Mosmarrëveshja për zonën e ngjarjes
Ndërkohë që Pëllumb Çeka, 50 vjeç, kishte rënë përtokë i goditur nga automjeti dhe autori i dyshuar i krimit po largohej nga vendi i ngjarjes, policia ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me kompetencën lëndore të ngjarjes. Më konkretisht, për rreth 20-30 minuta nuk ka qenë e qartë nëse zona ku ndodhi krimi ishte juridiksion i policisë së Tiranës apo Durrësit. Për këtë shkak, edhe mbërritja e policisë në vendin e ngjarjes ka qenë e vonuar.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











