Përfundon tragjikisht sherri ndërmjet dy turistëve në Sarandë, një greku dhe një shqiptari me shtetësi franceze.Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:00, në vendin e quajtur “Rruga e 5-të”, në parkingun e hotelit ku ishin akomoduar të dy turistët për pushime. Por, gjatë konfliktit për parkimin e automjeteve të tyre në parkingun e hotelit, shtetasi Kostandinos Karadhimas, 79 vjeç, nga Lamia e Greqisë, ka gjetur vdekjen. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje që tronditi gjithë pushuesit e akomoduar në hotel, është 53-vjeçari Xhemal Kullai, lindur në Tiranë dhe banues në Francë (me pasaportë franceze). “Të dy këta shtetas kanë qenë rezidentë në hotel ‘Olimpia’, duke parkuar automjetet e tyre, njëra tip ‘Nisan’ me targë greke MIB 3235 i shtetasit Kostandinos Karadhimas dhe automjeti tip ‘Peugeot 407’, me targë AK 244 TG, në pronësi të Xhemal Kullait”, bëri të ditur Policia e Sarandës. Nga hetimet paraprake fillimisht u dyshua se gjatë konfliktit personat janë shtyrë me duar. Në këtë moment, i moshuari grek Kostandinos Karadhimas, i cili kishte ardhur pak ditë më parë me familjen e tij për të kaluar pushimet, është rrëzuar përtokë duke u dëmtuar në kokë. Ai është transportuar menjëherë për në spital, por me gjithë ndihmën e dhënë, ndërroi jetë disa minuta më pas. Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar rreth 8 dëshmitarë okularë që ishin rezidentë në hotel, familjarët e viktimës, si dhe të autorit të dyshuar. Sipas dëshmitarëve, në momentin e ngjarjes viktima ishte me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka debatuar me Xhemal Kullain duke e akuzuar atë se po i gërvishte mjetin. Dëshmitarët kanë pohuar gjithashtu se debati ka qenë vetëm ndërmjet bashkëshortes së viktimës dhe autorit të dyshuar. Kjo ka bërë që policia e Sarandës të mos kryente veprime për arrestimin e tij deri në orët e vona, pasi dyshimet paraprake për një vrasje të mundshme u shuan. Kjo edhe për shkakun se 79-vjeçari vuante nga zemra. Mjekët kanë konstatuar se viktima kishte kryer disa vite më parë një operacion në zemër duke vendosur edhe valvol.
SARANDE/ SHPRESA DINO











