Sherr me grushte mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe PDK-së

Jun 29, 2012 | 13:41
Sherri i deputetëve, dje para Kuvendit

Deputetë të lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të PDK-së janë zënë me grushte dje para Kuvendit të Kosovës. Sipas mediave kosovare, sherri nisi kur deputeti i PDK-së, Latif Gashi-Lata, sulmoi fizikisht deputetin e lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Sipas gazetës “Zëri”, sulmi ndodhi pasi deputeti Selimi ishte duke dhënë një intervistë për media ku ka folur për SHIK-un, ndërsa deputeti Gashi kishte kërkuar nga ai të mos flasë për SHIK-un. Pas përleshjes fizike mes të tyre, ka ndërhyrë policia dhe i ka ndarë ata, ndërsa pas pak minutash ka ndodhur një përleshje tjetër mes deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi dhe atij të PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën “Kamishi”. Ai është larguar i gjakosur nga Kuvendi, ndërsa Krasniqi ka pësuar disa goditje gjatë përleshjes. Edhe në këtë rast ka ndërhyrë Policia e Kosovës. Bekim Haxhiu, me nofkën “Kamishi”, ka thënë se u sulmua nga Rexhep Selimi me truprojat e tij, të Florin Krasniqit dhe Visar Ymerit në parkingun e Kuvendit të Kosovës. Haxhiu, para mediave ka thënë se ka ndodhur një konflikt verbal mes Latif Gashit edhe Rexhep Selimit, duke shtuar se ai nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast. Sipas tij, pas pesë minutave kanë ardhur në parking afër makinës së tij Rexhep Selimi, Florin Krasniqin dhe Visar Ymeri që të tre me truprojat e tyre. Ai tha: “Është një hakmarrje e lëvizjes Vetëvendosje ndaj meje për gjithë disfatën politike dhe demaskimin që kam bërë ndaj tyre si parti e rrugëve dhe rrugaçëve. Edhe dhuna që janë duke ushtruar për ditë në rrugë, e kanë tendencë ta ushtrojnë në Kuvend. Unë nuk kam pasë një konflikt me Florin Krasniqi. Rexhep Selim, pabesisht, me truprojat e tij, më ka sulmuar në hapësirën e parkingut të Kuvendit”, ka theksuar Haxhiu.

© Panorama.al

Te lidhura