
Një grup adoleshentësh janë përfshirë në një sherr masiv teksa ndodheshin në një qendër interneti, në zonën e Tiranës së Re. Sipas Policisë, 15 persona, kryesisht të moshave 13, 14 dhe 15-vjeçare, janë përleshur me njëri-tjetrit, fillimisht në lokalin ku ndodheshin e më pas janë zhvendosur jashtë. Nga përplasja fizike kanë mbetur të plagosur dy protagonistët kryesorë, edhe i dëmtuari, edhe autori, tashmë i ndaluar nga policia. Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së enjtes, në rrugën “Ylbere Bylykbashi” në Tiranë. Ndërsa policia e Komisariatit Nr. 2 ka mundur ta ndalojë autorin rreth orës 02:45 të ditës së djeshme. Sipas Policisë, ai është një 13-vjeçar me inicialet A. P. dhe akuzohet se ka plagosur me thikë bashkëmoshatarin e tij me iniciale G. S., i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Por, sipas Policisë, edhe i arrestuari ka pësuar plagë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, pasi është goditur me gurë dhe tulla. Burimet thanë se motivi i sherrit mes 15 adoleshentëve kanë qenë disa fyerje që ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin në rrjetin social “Facebook”, pasi kishin ngacmuar të dashurat e njëri-tjetrit. Nga këqyrja në vendin e ngjarjes u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një tullë, që kanë shërbyer si mjetet e krimit.











