Sheri dhe Toni Bler: Martesa jonë plot peripeci

Jul 23, 2012 | 13:21
Sheri dhe Toni Bler

Kur ditët janë aq të ngarkuara, saqë nuk ke kohë të marrësh frymë, kur në kokë të vërtiten gjithfarë problemesh, as që të shkon mendja të flasësh për veten. Por vjen një moment paqtor, kur kthen kokën pas dhe sheh se ke ca gjëra që mund t’i ndash, që do t’i fiksosh në letër. Këtë ka bërë edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, Sheri, e cila i ka dhënë lexuesit autobiografinë “Të flasësh për vetveten”. Ky libër vjen edhe në shqip nga shtëpia botuese “55”, nën përkthimin e Blendi Lamit. Sheri Bler është një avokate e shquar dhe mban titullin Këshilltare e Mbretëreshës. Ajo është e profilizuar në legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në autobiografinë e saj ajo i ka zhveshur dorashkat dhe rrëfen për familjen e saj, shkollimin, njohjen me Tonin, dashurinë, martesën, punën, angazhimet politike të vendit etj. Por përtej betejave politike, kemi përzgjedhur një moment nga jeta e saj, një nga ditët më të shënuara, martesën. Një ditë plot peripeci, vonesa, harresa… që Sheri i tregon vetë:

…Propozimi i Tonit mund të kishte qenë paksa i pazakontë. Përfundimisht, isha personi i gabuar i përgjunjur, por nuk kisha pasur nevojë të mendoja për përgjigjen. Ne ishim edhe të dashur, edhe miq të mirë, pa dyshim kombinimi më i përsosur për një martesë të lumtur dhe të suksesshme. Midis nesh kishte gjithnjë një dinamikë që nuk ishte kurrë monotone dhe e dija se jeta me Tonin nuk do të ishte e mërzitshme. E ç’mund të kërkonte më shumë një vajzë?
Mbase një unazë. Por atëherë i kisha urryer gjithmonë gishtërinjtë e mi dhe Toni mendonte se ne duhej të financonim gjithçka që kishim për të blerë një shtëpi. Donte të ishte i sigurt vetëm për një gjë, më tha ai, teksa po dilnim me makinën tonë nga trageti në Dover.
– Çfarë është i dashur? – e pyeta unë, duke i shtrënguar gjurin. Mos donte që t’i thosha përsëri se sa shumë e doja…
– Më premto se nuk do t’i thuash gjë askujt.
Mbaj mend që u ula dhe po mendoja me vete: Çfarë? Por në fakt thashë: – E kuptoj.
Çka e shqetësonte Tonin me të vërtetë ishte Deri. Ai thoshte se mosmiratimi i tij mund të sillte pasoja me të vërtetë negative. Me sa dija unë, nuk bëhej kurrsesi fjalë për “nëse”. Sigurisht që Deri nuk do të ishte dakord. Megjithëse në fakt ai nuk e shfaqte në atë mënyrë, kundrejt meje kishte pasur gjithnjë një qëndrim të tipit “droit-de-seigneur” .
Kur më në fund Toni i tregoi, pa shkaktuar habinë e askujt, Deri tha: Jeni tepër të rinj për t’u martuar. Mos u martoni.
Në mënyrë paradoksale ishte Deri ai që e mundësoi këtë, të paktën nga ana financiare. Ai i dha Tonit një çështje që kishte të bënte me Bankën e Omanit. Në muajt në vazhdim, Toni udhëtoi shpesh drejt Gjirit. Ky ishte një burim i mirë që solli shumën e parë vërtet të majme. Kështu që na u krijua mundësia që të kërkonim shtëpi. Shqetësohesha më shumë për mënyrën e organizimit të dasmës. Si do të reagonte mamaja ndaj faktit që do të më shoqëronte babai? Ndryshe nga mospërmendja e emrit të tij ditën e diplomimit, nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një nënë të shoqëronte vajzën në altar?
Për momentin, ky ishte një problem pa zgjidhje.
* * *
Një mëngjes herët në nëntor, isha në shtëpi duke dëgjuar turbullt Radio Kapital. Ndërsa po bëhesha gati për të shkuar në punë, befas dëgjova të përmendej emri i tim eti.
– Toni Buth, aktori që luan tek “Derisa vdekja të na ndajë”, është në spital pasi ka pësuar disa djegie gjatë një zjarri në shtëpinë e tij. Banorët e tjerë të ndërtesës nuk kanë pasur lëndime….
Aksidenti i tim eti pati një avantazh të paparashikuar. As që bëhej fjalë që tashmë ai të vinte në dasmë, kështu që u vendos që do të më shoqëronte xhaxha Billi, burri i hallë Odrit, të cilin e kisha njohur që kur arrita në rrugën Ferndeil dhe ai ishte thjesht i dashuri i saj.
Meqenëse edhe Toni edhe unë ishim anëtarë të institutit “Linkoln”, fare kollaj mund ta bënim dasmën në kishën e institutit, por ishte e kushtueshme për ta rezervuar. Meqë mamaja po jetonte tani në Oksford, ishte krejt e arsyeshme që ta bënim dasmën atje. Çuditërisht ishim me fat që St Xhon’s na dha lejen për t’u martuar në kishëzën e kolegjit, ku kishte studiuar Toni. Megjithëse ishte paksa e pazakontë, leja për ceremoninë u mor nëpërmjet ndërhyrjes së një shokut të tij, i cili kishte mbrojtur tezën mbi historinë e kishës. Kështu që ai ia mbushi mendjen kapelanit të atëhershëm Graham Dout.
Kapelani i tanishëm ishte Entoni Fillips. Ai diskutoi faktin që unë isha katolike. Kisha e Anglisë nuk e kishte problem. Çështja ishte nëse e kisha unë problem. Në fakt, që nga largimi prej shtëpisë pesë vjet më parë, kisha qenë në meshë vetëm kur isha gjendur në Liverpul. Në Shkollën Ekonomike të Londrës, askush nuk e dinte se unë isha katolike. Ndofta duhej t’i kisha kërkuar kushëririt tim të dytë, Atit Xhon Tompson, që të ishte i pranishëm bashkë me hirësinë Filips, por nuk doja të trazoja urët me fatin tim. Entoni Fillips po na bënte një nder të madh. Unë nuk doja të thosha: “Oh, meqë ra fjala, do të doja që mos e bënit ju celebrimin në dasmë”.
Nuk do të kishte festa lamtumire beqarie apo gjëra të këtij lloji. Dy familjet e kishin bërë me fjalë që të hanin një darkë bashkë dhe do të takoheshin te shtëpia e nënës sime. Ora gjashtë dhe dhëndri ende nuk po dukej. Përfundimisht arriti rreth orës tetë dhe të gjithë kaluam një mbrëmje të gëzuar. Por mëngjesi tjetër ishte një katastrofë më vete! Ai kishte harruar të merrte të mbathura, ndaj na u desh të përlanim një palë nga hoteli. Ato ishin të shpifura, ca rraqe që i rrinin keq, me një vijë tepër të pazakontë përreth vendit të bigëzimit, që duket qartë në fotografitë e dasmës.
Sigurisht që atje ishte edhe gjyshja dhe i ndriti fytyra kur pa Tonin. – Jam kaq e lumtur që ajo po martohet me ty. Ti më pëlqen, – i tha ajo. U ndjemë të lehtësuar.
Fustanin e kisha blerë në dyqanin “Liberty”. Ishte një copë e mëndafshtë si fildish i zbehtë. Më dukej si fustan mesjete, me mëngët e hapura në krye dhe të kapura me perla. Që të shkonte me të, kisha edhe një kësulë me lidhka të së njëjtës ngjyrë të zbehtë zambaku, siç ishte fustani, por me më shumë perla. Sa për fustanet e shoqërueseve të nuses, Megi kishte marrë përsipër vullnetarisht shërbimin si rrobaqepëse, meqenëse kishte makinë qepëse. Blemë mëndafsh të përpunuar nga dyqani “Liberty”, të cilin ajo e përgatiti sipas modeleve të saj. Fatkeqësisht, si shumë nga aktivitetet “bëji vetë” të Megit, edhe ky projekt zgjati më shumë sesa e kishte planifikuar dhe s’kishim mbaruar së bëri tegelat e fustaneve, kur arriti makina. Shoqërueset e nuses, Lindsi, motra e Tonit, Sara, dhe Kathrin, e bija e hallë Odrit, ikën të parat me nënën time. Meqë makina do t’i vinte në ndihmë mamasë, vendosa se na duhej vetëm një e tillë. Pastaj, shoferi mund të kthehej sërish dhe të më merrte mua dhe xhaxha Billin. Në parim ishte ide e mirë, por të shtunave pasdite, Oksfordi rëndohet nga trafiku dhe mamaja nuk e kishte llogaritur mirë se sa do të zgjaste rrugëtimi. Ne pritëm sa plasëm. Ishte menduar që dasma të fillonte në orën dy, por në orën dy makina sapo ishte kthyer.
– Toni do të jetë bërë tym nga inati, – cicëroja unë teksa çanim përmes trafikut. – Ndoshta do të ikë. Në kohën që arritëm në St Xhils, më ishte mbushur mendja top se nuk do të kishte njeri duke na pritur në altar dhe do të kishte shumë fytyra të ngrysura. Ai nuk e honeps fare kur vonohem dhe kjo ndodh jo rrallë. Të paktën kësaj here, mendova nuk ishte faji im, por ai nuk kishte si ta dinte këtë. Më në fund arrita në kishë në orën dy e gjysmë, kohë në të cilën organisti i gjorë e kishte kaluar të gjithë repertorin e tij dhe ia kishte nisur edhe njëherë nga fillimi.
Dhëndri nuk ishte larguar. Më vonë mësova se cigaren e fundit ai e kishte pirë në orën dy pa pesë. Unë nuk kisha pirë kurrë duhan, por kisha vënë re se shumë avokatë tymosnin si oxhakë, meqë ata ishin të prirë të bëheshin nervozë përpara se të futeshin në sallën e gjyqit. Kisha parë gjyshin tim kur vdiq dhe nuk ma kishte ënda të shihja edhe Tonin të përfundonte në të njëjtën mënyrë. Lënia e duhanit kishte qenë kushti që i kisha vënë përpara martesës.
Rreth orës tre të datës 29 mars 1980, Toni Bler dhe Sheri Buth u shpallën burrë e grua. E kotë ta përmendim, por nuk premtova të betohem. Gjithsesi e gjitha kaloi pa u vënë re. Më kujtohet vetëm që Entoni Fillips predikoi gjithë atë fjalim rreth mënyrës se si në një martesë të duhet të jesh gjithmonë në lëvizje, të mos rrish vetëm në një vend, të çapitesh: duhet të lëvizni përpara të dy. Kur ai mbërriti tek fjalët “ata që i ka bashkuar Zoti, le të mos i ndajë njeri”, na i bashkoi kyçet e duarve me shallin e tij, gjë që nuk e prisja dhe nuk e kisha parë kurrë më parë të ndodhte, edhe pse deri atëherë ishin martuar shumë nga miqtë tanë.
– Për Zotin, – tha Megi më vonë. – E paska pasur me gjithë mend ai.
Kisha ishte mjaft e vogël. Veç familjeve, shumica e të ftuarve ishin nga studiot tona. Dekani i St Xhon’s na kishte ofruar shtëpinë e tij për ta përdorur për pritjen, kështu që mund të ecnim më këmbë nga kisha dhe në fakt ashtu bëmë, ndërkohë që era e tërbuar e marsit u fluturonte të gjithëve kapelat nga koka.
Billi, vëllai i Tonit, ishte shoqëruesi i dhëndrit. Miqtë e tij të ftuar ishin Çarli Falkoner, Kris Kat, një shok nga Fetes, Xhef Gallop dhe Brus Rou. Mark Peilli dhe Bina ishin në Dubai.
Në mungesë të tim eti, i pata kërkuar Derit të mbante fjalimin në emrin tim. Ky ishte një gabim. Foli vetëm për Tonin. Sa i mrekullueshëm ishte ai dhe sa me fat isha unë që po martohesha me të. Natyrisht që ai mori rolin e Kupidit. Më pas, Fredi Rejnold më tha se edhe mund t’ia kisha kërkuar atij ta mbante fjalimin e rastit. Do të kishte qenë ide e mirë. Për fat të mirë, xhaxha Billi nguli këmbë për të thënë dy fjalë për mua dhe në fakt ato fjalë i dilnin nga zemra. Im atë dërgoi një telegram, fjalët e të cilit i mbaj mend edhe sot e kësaj dite.
“Të trashëgoheni! Nga babai krenar i nuses së bukur. Mungoj, i lënduar.”
Atë natë vonë Toni u ul rrëzë krevatit të dhomës së hotelit në Kotsuollds.
– Kështu pra, – tha ai pasi kishte hequr krahëzat e pantallonave. – Kjo ishte dita më e keqe e jetës sime. Nuk kishte të bënte fare me mua. Thjesht e kishte kapluar trishtimi, sepse nëna e tij nuk ndodhej me ne atë ditë.

© Panorama.al

Te lidhura