Senatorja demokrate nga Kalifornia, Dianne Feinstein u nga jeta të premten në moshën 90 vjeçare. Ajo shërbeu si senatore e Kalifornisë që prej vitit 1992 dhe ishte një prej disa grave që i hapën rrugë të tjerave më vonë, duke u zgjedhur si ligjvënëse apo senatore atë vit.
Dianne Feinstein ishte një mbështetëse e apasionuar ndaj atyre që shiheshin si përparësi të politikave liberale, të rëndësishme për shtetin e saj, por ajo njihej gjithashtu si një ligjvënëse pragmatiste, që ka kërkuar bashkëpunimin me republikanët e rrugës së mesme për kompromis. Momenti kryesor në karrierën politike të zonjës Feinstein erdhi në vitin 1978 kur kryebashkiaku George Moscone dhe zyrtari Harvey Milk u vranë në bashkinë e San Franciskos nga ish-zyrtari i këshillit bashkiak, Dan White.
Zonja Feinstein ishte presidente e Bordit të Mbikëqyrësve në bashkinë e San Franciskos, gruaja e parë në këtë post dhe automatikisht pasoi zotin Moscone në postin e kryetares së bashkisë. Ajo ishte gruaja e parë në postin më të lartë të qytetit të San Franciskos.
Dianne Feinstein ishte një nga dy senatoret nga shteti i Kalifornisë, gruaja e parë që ka shërbyer si Kryetare e Komisionit të Zbulimit në Senat dhe gruaja e parë në krye të Komisionit Juridik të Senatit./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al