Shënon Januzi, barazon Vorskla

Sep 3, 2012 | 12:31
Ahmed Januzi

Ahmed Januzi ka shënuar një gol të rëndësishëm dje për skuadrën e tij, Vorskla Poltava, në përballjen shtëpiake ndaj Dnipros. Në fakt, gjërat nisën keq për Vorsklan e dy shqiptarëve: Januzi dhe Dallku, që të dy titullarë në këtë përballje. Miqtë arritën që të shënonin që në minutën e 19-të të pjesës së parë me anë të Olenik. Sakaq, në pjesën e dytë, kur pritej reagimi i vendësve, vjen edhe dyfishimi i rezultatit me anë të Xhuliano në minutën e 53-të. Vetëm më pas “u zgjua” Vorskla, pikërisht me anë të Januzit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare (është grumbulluar nga De Biazi për dy ndeshjet e këtij muaji) do të ishte pjesëmarrës në aksionin e golit të parë për Vorsklan, në minutën e 79-të me autor Selin dhe vetëm tri minuta më pas, Januzi do arrinte të barazonte gjithçka pas një aksioni thuajse vetjak. Ky ishte goli i dytë i lojtarit shqiptar për këtë sezon në tetë javë kampionat në Ukrainë. I pari ka qenë në humbjen që Vorskla pësoi 4-1 në fushën e Shakhtar Donetsk, më 12 gusht 2012. Pas këtij barazimi, Vorskla renditet në vendin e 11-të nga 16 skuadra pjesëmarrëse me vetëm 8 pikë (2 fitore, 2 barazime, 4 humbje), dy pikë më pak sesa Çornomorets e vendit të 10-të, ku luan Elis Bakaj. Ky i fundit nuk është grumbulluar për dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Qipros dhe Zvicrës, si dhe nuk luajti në takimin e fundit të skuadrës së tij, pasi u dëmtuan në mesjavë gjatë një seance stërvitore. Sipas të dhënave, ai do të qëndrojë 3-4 javë larg fushave.

© Panorama.al

Te lidhura