
Në rrezik jeta e 13 minatorëve të grevës së urisë në Bulqizë.Ndërsa deri në ditën e 14-të alarmi vinte nga mungesa e ushqimit dhe e ndriçimit në thellësinë 1400 metër nën tokë, në fund të 2-javëshit të grevës ata po rrezikohen nga vetë galeria. Mungesa e punës prej rreth dy muajsh në galeritë e minierës së Bulqizës dhe amortizimi i sistemit të ajrimit dhe pompave në brendësi të tyre u rrezikon jetën grevistëve. Mbrëmjen e djeshme, nga ambientet e grevës është dhënë alarmi se ka probleme me ajrimin, pasi për shkak të tubacioneve të amortizuara ka rrjedhje të ajrit që furnizon me oksigjen në thellësi minatorët. Një tjetër fenomen shqetësues është uji që kullon nëpër ambientet e minierës, çka ka bërë që të shkaktohet shembje te një pjesë e galerisë. Alarmi i dhënë nga brenda ka vënë në dijeni Konfederatën, e cila ka dërguar urgjent në minierë inxhinierë dhe specialistë të minierave për të verifikuar në vend situatën. Sipas tyre, mësohet paraprakisht se për shkak të ndërprerjes së punës që prej muajit qershor, si pasojë e protestave masive të minatorëve dhe më pas grevës së urisë, nuk janë mirëmbajtur as tubacionet e ajrimit e as ato të ujit. Ata kanë paralajmëruar se nevojitet në mënyrë urgjente vendosja e pompave për të thithur ujin që ka rrjedhur në galeri. Me gjithë gjendjen e rënduar teknike, veç asaj shëndetësore, 13 minatorët nuk kanë dhënë asnjë sinjal pozitiv për të ndërprerë grevën e urisë. Tre prej tyre janë paraqitur ditët e fundit në gjendje shumë të rënduar. Ata dje pësuan disa herë gjendje të fikëti, por edhe pse në gjendje të keqe, asnjëri prej tyre nuk pranoi të lërë grevën dhe të dalë nga thellësia 1400 metra nën tokë. Të ndodhur në këto kushte, mjekët e Bulqizës u shërbyen atyre serume në galerinë ku janë ngujuar, ndonëse ata u kanë bërë thirrje disa herë të dalin nga greva, pasi gjendja e tyre është mjaft e rëndë. Ende nuk dihet se si do të shkojë fati i tyre, pasi nuk ka asnjë sinjal për dialog të afërt mes grevistëve dhe kompanisë ACR. Dy ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u bëri thirrje palëve të ulen për dialog dhe t’i japin zgjidhje urgjente situatës së krijuar. Por, përfaqësues të ACR-së kanë refuzuar të takohen me përfaqësinë e Sindikatës. Sipas burimeve të Sindikatës, ACR po u bën presion dhe mashtrime. “Me vulë të Telekomit lokal janë shpërndarë disa fletushka, ku thuhet se minatorët janë dakord me rritjen e pagës 20 për qind, por nuk na lënë drejtuesit e Konfederatës, Kolë Nikollaj e Tafë Koleci”. Kështu u shpreh dje kreu i Sindikatës, Nikollaj. Nisur nga këto, vetë Nikollaj pohoi se heq dorë nga ndërmjetësimi dhe do të caktojë përfaqësues të tjerë të grevistëve. Sipas tij, kjo tërheqje u bë për t’i lënë rrugë të hapur për një zgjidhje të menjëhershme dhe për t’i dhënë fund grevës që rrezikon çdo orë e më tepër jetën e të ngujuarve.
Greva e urisë
20 minatorë u futën 15 ditë më parë në grevë duke kërkuar plotësimin e disa kërkesave që kanë të bëjnë me ngritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të punës, largimin e firmave të palicensuara, si dhe largimin e administratorit të ACR-së. Por, gjatë këtyre ditëve, shtatë prej tyre janë nxjerrë në gjendje të rëndë nga thellësia 1400 metra ku ishin ngujuar, pasi nuk mundën të përballonin kushtet e rënda, përfshirë të ftohtët, lagështirën, qëndrimin në mes të baltës dhe me mungesa oksigjeni.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











