Shembja e Piramidës pa kosto financiare, shmanget Bashkia

Jul 12, 2011 | 9:23

Komisioni i Ligjeve nis sot diskutimin e projektligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, i propozuar nga 38 deputetë të PD-së.Në nismën me pak nene përcaktohet se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku ndodhet sot Piramida dhe se Këshilli i Ministrave do të merret me hapat e tjerë në mënyrë që ky projekt të përfundojë sa më parë, për 100-vjetorin e pavarësisë. Por, projektligji përcakton që leja e ndërtimit nuk do të jepet nga KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, por nga KRRTRSH-ja, një organ që drejtohet nga kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, në projekt nuk përcaktohet asnjë afat për nisjen e punimeve, mbylljes së tyre dhe më të rëndësishmen, koston e tij. Ende nuk ka një kosto se sa do të kushtojë ndërtimi i Kuvendit të ri. “Ngritja e kantierit të punimeve bëhet në sheshin e liruar të ndërtimit, në përputhje me kushtet dhe kriteret teknike në fuqi. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij neni”, thuhet në nenin 5 të projektligjit, duke ia lënë në dorë kantierin e ndërtimit vetë qeverisë. Ky projektligj vjen në variantin përfundimtar, ndërsa në fillim të vitit u paraqit një tjetër projektligj. Tashmë, me këtë variant, më të thjeshtëzuar, parashikohet procedura e shembjes së Piramidës dhe ndërtimit në vend të saj i kompleksit të ri parlamentar sipas projektit fitues.

Projekti

Projekti vjenez është shpallur fitues i konkursit kombëtar për ndërtimin e Parlamentit të ri të Shqipërisë. Juria që e dha këtë vendim kryesohej nga Johannes Ibelings dhe kishte si anëtarë të saj: Imad Hassan, Mario Struzzi, Agron Lufin dhe Florian Nepravishtën. Projekti e paraqet sallën e Parlamentit duke reflektuar hapësirën bazë demokratike si sundimi i fuqisë së elektoratit, duke e vendosur publikun mbi pjesëtarët e zgjedhur të Kuvendit, pa i hequr të drejtën sallës së madhe, hollit, që të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndërtesës.

Projektligji për kompleksin parlamentar

Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave dhe procedurave, të drejtat, detyrimet dhe afatet në dispozicion të institucioneve respektive për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

Neni 2
Shpallja e fituesit dhe projekti i zbatimit
Shpallja e fituesit të konkursit ndërkombëtar bëhet me vendim të Komisionit Shtetëror të ngritur me Vendimin e Kuvendit Nr. 66, datë 21.10.2010, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Konkursit Ndërkombëtar.
2. Termat e kontratës së projektit të zbatimit të projektit fitues, koha e dorëzimit dhe vlera e projektit të zbatimit përcaktohen me vendim të Komisionit Shtetëror.

Neni 3
Autoriteti dhe procedurat për lejen e sheshit dhe lejen e ndërtimit
1. Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH).
2. Kërkesa për lejen e sheshit dhe lejen e ndërtimit paraqitet në një procedim të vetëm administrativ dhe nuk i nënshtrohet asnjë pagesë.
3. Kuvendi i Shqipërisë paraqet kërkesën sipas aneksit bashkëlidhur këtij ligji.
4. Dokumentacioni i miratimit të sheshit dhe lejes së ndërtimit firmosen nga ministri që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve.

Neni 4
Procedura e prokurimit
Kuvendi i Shqipërisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, përdor rregullat dhe afatet e parashikuara në Ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.

Neni 5
Kantieri i punimeve
1. Ngritja e kantierit të punimeve bëhet në sheshin e liruar të ndërtimit, në përputhje me kushtet dhe kriteret teknike në fuqi.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij neni.

Neni 6
Mbikëqyrja e punimeve
Vlera e përgjithshme e mbikëqyrjes së ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7
Kontrolli i mjediseve të ndërtimit
Ushtrimi i kontrollit në mjediset ku kryhet ndërtimi behet nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në përputhje me praktikat që parashikon legjislacioni përkatës.

Neni 8
Oponenca e projektit dhe kolaudimi i punimeve
Ngarkohet Këshilli i Ministrave:
a) të përcaktojë institucionin për kryerjen e oponencës teknike;
b) të përcaktojë procedurën e kolaudimit të punimeve të kompleksit të ri parlamentar.

Neni 9
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn ne fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura