Shembja e Piramidës në qendër të Tiranës për t’i hapur rrugë ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, do të votohet sot në Kuvend.Axhenda për ditën e sotme ka përcaktuar diskutimin dhe miratimin e këtij projektligjit, por që do të votohet pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila vijon bojkotin ndaj Parlamentit. Pavarësisht kundërshtive të shumta për këtë nisëm të qeverisë, opozita nuk do të marrë pjesë, ndonëse sot do të jetë edhe votimi i ndryshimeve në buxhet. Projektligji me 9 nene që pritet të miratohet sot, ka kaluar në pronësi të Kuvendit Piramidën, ndërsa vendos që prokurimi do të bëhet po nga Kuvendi, ndërsa prishja e Piramidës do të bëhet nga Inspektorati i Ndërtimit. Leja e ndërtimi do të jepet nga KRRTRSH-ja, dhe jo nga organet e Bashkisë dhe për më tepër kjo e fundit nuk do të marrë as taksën e ndikimit në infrastrukturë apo taksën për lejen e ndërtimit. Projekti ende nuk ka një kosto përfundimtare dhe ky shqetësim u ngrit edhe nga vetë deputetët e PD-së në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Qeveria shqiptare po negocion me Arabinë Saudite për të siguruar grantin prej 100 milionë eurosh, por që ende nuk ka një kosto përfundimtare në lidhje me këtë projekt. Kostoja e tij do të vendoset nga tenderi i hapur, ku kompania që do të ofrojë më pak për ta ndërtuar, do të fitojë të drejtën e ndërtimit. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje nga Arabia Saudite në lidhje me këtë fond. Godina e re do të ndërtohet mbi Piramidën dhe do të jetë gati në 28 nëntor 2012. Inspektorati Ndërtimor Kombëtar Urbanistik do të shembë Piramidën, por në ligj nuk përcaktohet një kohë kur do ta bëjë këtë. Firmat që do të kryejnë punimet do të zgjidhen me tender elektronik. Tenderi do të zhvillohet nga Kuvendi dhe procedurat e tij do të bazohen në Ligjin për prokurimin publik.
Reagimet
Reagimet për shembjen e Piramidës nuk munguan as dje. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, u shpreh se projektligji i maxhorancës shkel Kushtetutën e vendit. Ai tha se Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar me një kërkese për mendim Këshillit të Ministrave që në mars të 2011, me një draft të ndryshëm nga ai i sotmi. “Projektligji i paraqitur dje dhe i miratuar dje në Komisionin e Ligjeve nuk përligj shpenzimet financiare që duhen për vënien në zbatim. Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur në Kuvend mendim lidhur me këtë projekt”, tha Braçe.
“Pa çmim”
Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar ende nuk ka një çmim se sa do të kushtojë. Por, Kuvendi dhe maxhoranca është e vendosur ta ndërtojë, pavarësisht kostos së tij. “Unë besoj se nuk ka çmim i cili do të na duhet të bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”, ka thënë deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, relator i projektligjit.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











