Maxhoranca miraton në Kuvend brenda një ore 12 ligje me rëndësi dhe pa praninë e opozitës.Kuvendi, me 72 deputetët të maxhorancës, miratoi shkurtime prej gati 160 milionë eurosh, si dhe ligjin për shembjen e Piramidës, për të ndërtuar në atë truall kompleksin e ri parlamentar. Gjithsesi, Kuvendi arriti të mbledhë me vështirësi numrin e nevojshëm të deputetëve prej 71 anëtarësh të nevojshëm për të plotësuar kuorumin. Në përfundim të diskutimeve, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kërkoi një pushim prej 40 minutash përpara votimit dhe u prit ardhja e kryeministrit Berisha dhe e disa deputetëve nga aleatët për të plotësuar numrin e nevojshëm. Në fund u vu re mungesa e deputetit Vangjel Tavo nga LSI dhe deputetit Gëzim Dibra i PD-së, i cili ndodhet jashtë vendit. Për ndryshimet në buxhet foli vetëm kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, ndërsa disa deputetë të tjerë të PD-së folën për projektin e kompleksit të ri parlamentar, duke lëshuar akuza ndaj kreut të opozitës dhe duke u shprehur se po manipulohet mediatikisht me këtë projekt. Ata pranuan mungesën e një kostoje financiare për projektin. “Vendimi 66 i Parlamentit, i vitit 2010, nuk është gjë tjetër veçse një ripërsëritje e një vendimi të marrë nga ky Parlament në vitin 2005, kur në krye të kësaj salle qëndronte një nga profesorët e së majtës: Servet Pëllumbi; i miratuar me 138 vota, pra nga të gjithë anëtarët e Kuvendit të asaj kohe. Çështja është me se do të ndërtohet? Po, sigurisht, do të ndërtohet me paratë publike. Si do të ndërtohet? Nëpërmjet procedurave të prokurimit publik. Ku do të ndërtohet? Do të ndërtohet në Tiranë, në atë vend, i cili për fatkeqësinë e të gjithëve ne sot, mund të quhet fare mirë një vend i mallkuar. Nuk mund të mbajmë në këmbë një vend, i cili mban brenda fantazmën e diktatorit”, u shpreh Alibeaj, relatori i projektligjit. “Është ndër të paktët në morinë e atyre ligjeve që ne miratojmë çdo ditë në komisione, sa herë mblidhemi në seancë plenare. Në fakt, një gjë është e sigurt: që kostoja do të jetë dhjetëra-fish më e vogël se 1.5 miliardë dollarë që socialistët vidhnin çdo vit nga arka e shtetit”, tha deputeti tjetër i PD-së, Gent Strazimiri.
Po dje, maxhoranca votoi e vetme edhe disa ligje me rëndësi, si ai për mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht në fushën bankare dhe garancitë për kreditë. Gjithashtu u miratua blerja e 6 helikopterëve nga “Eurocopter”, disa ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore, si dhe një ligj i ri për lejet e mjedisit.
Votimi në Kuvend
. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për financimin e programit ‘Huaja e politikës së zhvillimit të reformës në sektorin social'”.
. Projektligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve”.
. Projektligji për blerjen nga “Eurocopter” e 5 helikopterëve të mesëm shumërolesh”.
. Projektligji për blerjen e 1 helikopteri EC 145 VIP.
. Projektligji “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
. Projektligji “Për lejet e mjedisit”.
. Projektligji “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”.
. Projektligji “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 10.355, datë 2.12.2010 ‘Për buxhetin e vitit 2011′”. (nen për nen & tërësi)
ERALD KAPRI
© Panorama.al











