Shemben 12 objekte në Hamallaj

Jun 25, 2011 | 12:40
Ndërtime të shembura në zonën e Hamallajt në Durrës

Inspektorati Ndërtimor ka ndërmarrë gjatë dy ditëve të fundit shembjen e një sërë ndërtimesh pa leje në zonën e bregdetit në Gjirin e Lalëzit.Në vazhdën e aksioneve në zonat turistike, aksioni i djeshëm është përqendruar në plazhin e Hidrovorit në Hamallaj, e cila administrohet nga Bashkia e Sukthit. Efektiva të këtij inspektorati, së bashku me mjete të rënda, kanë shembur dje 12 ndërtime gjithsej, shumica e të cilave kanë qenë bare dhe restorante të ndërtuara shumë afër bregut të detit. Aksioni është drejtuar nga krerët e Inspektoratit, të cilët janë mbështetur edhe nga Policia Ndërtimore e Bashkisë së Sukthit. Këto ndërtime kanë qenë më së shumti konstruksione prej druri dhe profile të lehta prej hekuri të ndërtuara në 4-5 vitet e fundit. Ky është aksioni i dytë që zhvillohet në këtë zonë, pasi para rreth 4 muajsh ka qenë Bashkia e Sukthit që ndërhyri me iniciativën e saj për prishjen e ndërtimeve pa leje. Shembja e lokaleve ka vazhduar pas plazhit të Hidrovorit edhe në atë të Rrushkullit, që janë ngjitur me njëri-tjetrin. Burime pranë Bashkisë bënë të ditur se pronarët e këtyre lokaleve nuk kanë bërë rezistencë për ndërhyrjen e fadromave të Inspektoratit Ndërtimor, megjithëse fillimisht e kanë kundërshtuar vendimin për prishje. Një pjesë e tyre kanë dalë me pretendimet se kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimeve të tyre, por në fakt, njësitë vendore, në rastin konkret Bashkia e Sukthit, nuk i ka miratuar këto kërkesa. Bashkia ka planifikuar që të ndërtojë në këtë vend një plazh publik, në mënyrë që pushuesit e shumtë që po vizitojnë këtë zonë të mos hasen me “pengesat”, ku detyrohen të paguajnë shezlonge me çmim 400 dhe 500 lekë. Pas aksionit të djeshëm, krerët e Inspektoratit deklaruan të vendosur se aksioni në fjalë do të shtrihet në të gjithë bregdetin e Gjirit të Lalëzit. Prej dy vitesh në këtë vijë bregdetare kanë nisur ndërtime në masë, shumica pa leje, pasi plazhet e Gjirit të Lalëzit janë shumë të pastra dhe pushuesit po zhvendosen drejt këtyre zonave. Në këtë vijë bregdetare ka nisur edhe ndërtimi i shumë fshatrave turistike, ndërtime mjaft cilësore, që synojnë thithjen e turistëve elitarë nga vendi, por edhe nga shtete të ndryshme të Europës.
Një javë më parë, në të njëjtën zonë, Inspektorati Ndërtimor ka ndërhyrë për prishjen e gjashtë lokaleve të tilla, edhe këto konstruksione prej druri e kashte të ndërtuara pa leje.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura