Si fituesja e “X factor Albania” do të ketë fatin të realizojë një kontratë me producentët botërorë “Berman Brothers”. Sfidoi Xhesika Polon dhe Kristo Thanon në një natë gala të “TV Klan”, duke rrëmnbyer kupën e lakmuar. 18-vjeçarja nga Tirana, Sheila Haxhiraj, zbulon ambicien e saj në muzikë, për famë e para.
Sheila, si e prite fitoren e “X Factor”, dhe si do ndryshojë jeta jote tani e tutje?
Natyrisht ishte një emocion i fortë, moment magjik, një ndjenjë lumturie e papërshkrueshme pasi së fundi gjithë mundi dhe puna ime e palodhur u kurorëzua me sukses. Shpresoj që jeta ime artistike të jetë e suksesshme si fillimi i kësaj karriere. Mendoj të lançohem së shpejti në tregun shqiptar, por para meje është dhe kontrata me “Berman Brothers”, që më bën të ndihem e vlerësuar, por njëkohësisht është dhe një impenjim i madh.
Momenti kulminant ishte i pritjes se trofeut mes teje dhe Kristos. Çfarë rivali ishte Kristo? Cila ishte pika e tij e dobët dhe e fortë përballë teje?
Unë e vlerësoj Kriston si shok dhe si konkurrent, vokalisht nuk jam profesioniste (pasi të tjerë ishin ata që gjykuan dhe na vlerësuan). Gjithsesi, mendoj që ndoshta e penalizoi kjo gjë, pasi Kristo në natën finale nuk u prezantua me një këngë të re, por doli me performancën e tij më të mirë të 15 netëve të mëparshme. E gjithsesi unë ndihesha e emocionuar dhe me një lloj pasigurie në ato momente, pasi Kristo për mua ka qenë një rival i fortë.
Tashme ti je fituesja, çfarë strategjie do të përdorësh për të hyrë në tregun e muzikës me hapa të menduar?
Mendoj që puna dhe vetëm puna, bashkëpunimi me profesionistë të muzikës, po natyrisht ndihma dhe mbështetja që do të kem nga stafi i “X Factor” pasi ne të gjithë vazhdojmë të menaxhohemi prej tyre. Besoj se ky do të jetë çelësi i suksesit të karrierës sime të re artistike.
Si do t’i konkurrosh këngëtaret e tjera në treg, do të synosh të jesh këngëtare komerciale apo e një publiku të zgjedhur?
Është tepër herët për të menduar për këto gjëra, pasi së pari kam angazhimet me shkollën. Por natyrisht që do të jem shumë selektive në përzgjedhjen time.
Si do t’i prezantohesh publikut pas marrjes së kësaj kupe, ke menduar të shfaqesh me një klip veror?
Po. Shpresoj që së shpejti të prezantohem me një hit veror.
Për sa i përket jetës private, ç’mund të thuash? Je e dashuruar, dhe nëse jo, partnerin e dëshiron në botën e muzikës?
Momentalisht nuk jam e dashuruar, jam vetëm e përqendruar tek shkolla dhe karriera ime e re artistike.
Deri ku shkojnë ambiciet e tua për famë, po ambiciet për para?
Mendoj që paraja dhe fama shkojnë paralel me njëra-tjetrën, por do të vlerësoja më shumë suksesin në karrierën time të re. Dua të jem e suksesshme si në tregun shqiptar, dhe pse jo në atë ndërkombëtar.











