Shefi i grupit paraushtarak rus, Wagner, i ka kërkuar të shtunën Moskës, që t’ia dorëzojë pozicionet e tij në Bahmut, liderit çeçen, Ramzan Kadyrov.
“Ju kërkoj që të lëshoni një urdhër luftarak para orës 00:00, më 10 maj, lidhur me transferim të pozicioneve të njësiteve paraushtarake të Wagnerit në Bahmut dhe periferi, te njësitet e batalionit Akhmat”, ka thënë Yevgeny Prigozhin, në një letër drejtuar ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Batalioni Akhmat u referohet njësiteve luftarake çeçene nën komandën e Kadyrovit, i cili e ka udhëhequr Çeçeninë – republikën ruse me shumicë myslimane – që një dekadë e gjysmë.
Prigozhin ka thënë se luftëtarët do të detyrohen të largohen për shkak të mungesës së madhe të municionit.
Ai e ka akuzuar Ministrinë ruse të Mbrojtjes se ka dorëzuar vetëm 32 për qind të municionit të kërkuar, prej tetorit të vitit 2022.
Luftëtarët e Wagnerit janë në krye të luftimeve për kontrollin e Bahmutit.
Të premten, lideri i Wagnerit ka kërcënuar me tërheqje të trupave nga kjo zonë.
Në anën tjetër, Kadyrov ka thënë se luftëtarët e tij janë të gatshëm “të avancojnë dhe ta pushtojnë qytetin”.
Ai i ka lavdëruar njësitet e Wagnerit, duke thënë se grupet kanë luftuar betejat më të ashpra në Popasna, Severodonjeck dhe Lisiçansk.
Në një mesazh të publikuar të shtunën, Prigozhin e ka falënderuar Kadyrovin për ofertën e tij, dhe ka thënë se forcat çeçene mund ta fitojnë kontrollin e Bahmutit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al