TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dalë me një deklaratë për shtyp ku përshëndet miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, ndërsa nxit palët që të punojnë për gjetjen e gjuhës së përbashkët edhe për heqjen e imunitetit.
“Ambasada e SHBA përshëndet miratimin e Kodit Zgjedhor dhe përgëzon frymën e kompromisit të demonstruar nga të gjitha palët, me qëllim adresimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it.”- thuhet në deklaratë.
Ne gjithashtu njohim punën e zellshme të anëtarëve të komisionit ad- hoc për Reformën Zgjedhore në arritjen e këtij kompromisi të rëndësishëm, vazhdon deklarata, duke shtuar se, Parlamenti duhet ta kthejë tani në mënyrë të menjëhershme vëmendjen për të kompletuar reformën parlamentare dhe për të punuar për heqjen e imuniteteve, për të cilin të gjithë palët bien dakord se është një pengesë e madhe për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri.
“Ne i nxisim palët që të punojnë fort për të gjetur gjuhën e përbashkët, e cila ne e dimë se ekziston, për të votuar heqjen e imuniteteve më 6 gusht.”- përfundon deklarata e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Në përfundim të seancës së sotme plenare, ambasadori, Arvizu duke përshëndetur miratimin me konsensus të Kodit Zgjedhor, tha se nuk e kishte menduar se do e miratonin reformën zgjedhore.
© Panorama.al











