
Një orë para se ta shpallte mitingun e mbajtur në Çarleston, Karolina e Jugut, guvernator i Teksasit, Rik Perri, ka konfirmuar kandidaturën e tij për garën brenda Partisë Republikane për të zgjedhur personin që do të “luftojë” kundër Barak Obamës në zgjedhjet e vitit 2012. Perri shihet si kandidati më i preferuar në garën brenda partisë. “Me besim te zoti, me mbështetjen e familjes sime dhe besimin e patundur në virtytet e Amerikës, unë do të garoj për presidencën e Shteteve të Bashkuara”, shkruante Perri në faqen e tij on line. “Unë nuk e pranoj rrugën që ka marrë Amerika”, tha në një fjalim para një audience të madhe. Një komb i rinovuar ka nevojë që presidenti të rinovohet. Është koha për të kthyer Amerikën në punë”, tha Perri. Ai drejton Teksasin që nga viti 2000, ku Perri zëvendësoi Xhorxh W. Bush në mënyrë tejet konservatore. Qëndrimi i tij për politikën amerikane është i kundërt me atë të presidentit Barak Obama, i cili po lufton për reformën e kujdesit shëndetësor, më shumë investime në arsim dhe luftën kundër ndotjes. Në Teksas këto nuk janë prioritete. Ai është një shtet ku një e katërta e popullsisë nuk ka sigurim shëndetësor (ky është niveli më i ulët i të gjitha SHBA). Teksasi renditet i 47-ti për nivelin e shpenzimeve për arsimin nga 50 shtetet amerikane.











