Ambasada amerikane në Shkup ka kerkuar vetepermbajtje gjate protestave te paralajmeruara te shqiptareve te Maqedonise.
“Jemi të informuar që ka pasur thirrje për demostrata në tërë vendin gjatë ditës së nesërme dhe të shtunën në lidhje me vrasjen e pesë personave muajin e kaluar në afërsi të fshatit Smillkovci. Derisa e drejta për t’u grumbulluar dhe për të shprehur mendimin në mënyrë të qetë duhet respektuar, ne edhe më tej ftojmë qytetarët që të shprehin mendimin e tyre në mënyrë paqësore, të qetë si dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor për këtë çështje në pajtim me ligjet dhe procedurat ligjore të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve.
Përfaqësues të shqiptarëve për nesër kanë thirrur për protesta paqësore në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Strugë dhe qytete tjera për të shprehur reagimin lidhur me operacionin policor dhe arrestimet e shqiptarëve për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Ndërsa të shtunën, përfaqësues të komunitetit maqedonas kanë thirrur një protestë paqësore para qeverisë për të dënuar autorët e vrasjes së pesëfishtë.
(INA)
© Panorama.al











