SHBA: Partitë të sillen me dinjitet

Jun 8, 2011 | 10:47

Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Euro-Azinë, Tomas Kantrimen, vlerësoi lart popullin shqiptar për pjesëmarrjen masive dhe sjelljen dinjitoze në zgjedhjet vendore të 8 majit.Në të gjitha bashkitë, me përjashtim të Tiranës, tha ai, procesi shkoi mirë. Për Tiranën gara ishte e ngushtë dhe manovrimet kanë qenë intensive. “Ne kemi shprehur dyshimet tona për bazën ligjore të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori të caktuar fletësh votimi. Çështjet lidhur me to i janë parashtruar Kolegjit Zgjedhor. Por, për ne është esenciale që të gjitha partitë të sillen me të njëjtin dinjitet që tregoi populli shqiptar; të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin dhe të mos nxisin dhunë. Ne rezervohemi të shprehemi për rezultatin derisa të dëgjojmë se çfarë do të thotë Kolegji Zgjedhor”, tha Kantrimen. Diplomati amerikan tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për situatën paszgjedhore në Shqipëri. Shpresoj, tha diplomati amerikan, se pas këtyre zgjedhjeve, të shikojmë në Shqipëri një komunikim më të mirë, me respekt të ndërsjellë, një pjesëmarrje më të mirë nga të gjitha partinë, në të gjitha organet qeverisëse. “Për mendimin tim, – tha ai, – kur njerëzit marrin pjesë në një numër kaq të madh në zgjedhje, është pikërisht kjo që ata kërkojnë”. Lidhur me mundësinë e paraqitjes së çështjes në Komisionin e Venecias, zoti Kantrimen tha se nuk ka asgjë të keqe për t’iu drejtuar atij, pasi shumë vende e kanë bërë këtë, por ky është një vendim që u përket palëve në Shqipëri. Në pyetjen e Zërit të Amerikës për përgjegjësinë e politikës shqiptare për zgjidhjen e një sërë problemesh madhore për vendin, si çështja e pronësisë, reforma e Gjyqësorit, “rrjedhja e trurit” e të tjera, ndërsa përplasjet për rezultatet e zgjedhjeve, duke filluar që nga ato parlamentare të qershorit 2009, janë tejzgjatur, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Tomas Kantrimen, tha: “Ne nuk kemi parë mjaft udhëheqës politikë që të kenë vullnetin për të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë para interesave të partive të caktuara. Zakonisht udhëheqësit politikë janë të bindur se fitorja e partisë së tyre është e njëjtë me interesin kombëtar. Por kjo nuk është kështu për gjithë të tjerët. Në interesin e Shqipërisë sot është që t’u demonstrohet, veçanërisht vendeve anëtare të Bashkimit Europian, se Shqipëria mund të funksionojë si të gjitha demokracitë e tjera që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Europian. Dhe në dy vitet e fundit, Shqipëria nuk e ka plotësuar atë kriter. Ajo që më tremb sot është se ajo që duhet të jetë një demonstrim shumë pozitiv për Europën, Brukselin dhe për gjithë vendet anëtare për pjekurinë politike të Shqipërisë, nga një sinjal pozitiv mund të kthehet në një sinjal negativ nëse nuk bëhen përpjekje reale nga partitë politike për ta trajtuar këtë çështje qetësisht dhe në formë kushtetuese”. Kjo, tha zoti Kantrimen, është e rëndësishme, krahas gjithë kërkesave që ka përvijuar Bashkimi Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe për këtë duhet më shumë bashkëpunim mes partive. Në shumë aspekte, theksoi ai, Shqipëria ka ecur mirë, si në ekonomi, në përpjekjet për reforma, por është politika ajo që dëmton imazhin e saj në Bruksel dhe gjetkë. Duhet gjetur një mënyrë për ta ndryshuar këtë imazh, tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, jo me fushata të marrëdhënieve publike, por me zgjidhje të arsyeshme dhe komunikim me respekt.

 

Zëri i Amerikës

© Panorama.al

Te lidhura