SHBA kujton 9/11, dalin sekretet: Bush injoroi paralajmërimet

Sep 12, 2012 | 12:39
Gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar 11-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, në një ceremoni ku familjarët e viktimave morën më shumë rëndësi se politikanët. Për herë të parë politikanët nuk kanë folur në këtë ceremoni, e cila shpesh u dedikonte atyre një vëmendje të madhe. Në memorialin e Nju Jorkut për 11 shtatorin, familjarët kanë vendosur tullumbace, lule dhe fotografi të të dashurve të tyre, duke mbajtur heshtje me kokat ulur në orën 8:46 të mëngjesit, koha kur avioni i parë i rrëmbyer u përplas në kullën veriore të kullave binjake. Kambanat ranë për të kujtuar përplasjen e avionit të dytë në kullën e dytë, më pas u kujtua sulmi për në Pentagon dhe shpërthimi në fushën e Pensilvanisë, në momentin që secila nga kullat ra. Ceremonia u kujtua nga familja e parë amerikane në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Obama dhe Zonja e Parë, Mishel, mbajtën një ceremoni përkujtimore në shtëpinë e bardhë, më pas vendosën kurora me lule të bardha në Pentagon, mbi një pllakë betoni ku shkrihej “11 shtator 2001 — 9:37 në mëngjes”. Presidenti kujtoi tmerrin e sulmeve, duke deklaruar se “vendi ynë është më i sigurt dhe njerëzit tanë ndihen pak më mirë”. Familjarët kryen ritualin e leximit të përlotur të 3 mijë emrave të viktimave në memorial. Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në ceremonitë e mëparshme, por ky vit kishte nga 200 në një mijë vizitorë. Ditën e 11-vjetorit të 11 shtatorit, prestigjiozja amerikane “New York Times” ka shkruar mbi raportimet se presidentit të asaj kohe, Xhorxh Bush, i ishin dhënë një sërë paralajmërimesh të drejtpërdrejta gjatë vitit 2001 mbi mundësinë e një sulmi terrorist nga Al Kaeda, por ai nuk i kishte marrë ato seriozisht. Paralajmërimet janë dhënë mes majit dhe gushtit mbi një sulm shpërthyes me shumë viktima. Por presidenti nuk mori masa, duke shkaktuar edhe krisjen e marrëdhënieve të tij ne CIA-n. Paralajmërimet kanë ardhur para një takimi top-sekret, ku Bushit iu tha: “Bin Laden është i vendosur të godasë SHBA”. Pak javë më pas ndodhi sulmi i 11 shtatorit, ku u vranë rreth 3 mijë veta.

© Panorama.al

Te lidhura