Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të premten sanksione kundër pesë individëve dhe një kompanie, të cilët e kanë ndihmuar presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe familjes së tij, të pasurohen në kurriz të popullit.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi gjithashtu se ka vendosur sanksione edhe kundër tetë individëve që organizuan festimin e ditës antikushtetuese të këtij entiteti në fillim të këtij muaji.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha në një komunikatë se i ka futur në listën e zezë Pavlo Çoroviç, (bashkëshortin e vajzës së Dodikut, Goricës), Radmila Bojaniç, Nemanja Reljinin, Sinisha Dodikun dhe Marko Gujanç për shkak se i kanë ndihmuar Dodikut dhe familjes së tij të pasurohen.
Për organizimin e festimit të ditës antikushtetuese të RS-së, sipas udhëzimeve të Dodikut, u vendosën sanksione ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të këtij entiteti, Sinisha Karan, shefit të kabinetit të Dodikut, Danijelo Dragiçeviç, shefit të Protokollit të RS-së, Goran Rakoviç, sekretarit të Përgjithshëm të RS-së Dalibor Paniq, drejtoreshës së Radios dhe Televizionit të RS-së, Dijana Milankoviç, presidentit të Gjykatës Kushtetuese RS-së, Gerard Selman, presidentit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RS-së, Rajko Kuzmanoviç, dhe shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të RS-së, Goran Filipoviç.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al