Kryeministri takon për 80 minuta zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker.
Riker: Janë javë kritike. Berisha: Monitoroni zgjedhjet.
“Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër”. Ishte kjo deklarata e bërë dje nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Riker, pas takimit me Kryeministrin Berisha. Për zyrtarin e lartë të Uashingtonit, reformat dhe zgjedhjet e 2013-s do të jenë në vazhdimin e rreptë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike, veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar. E falënderoj përsëri Kryeministrin për bujarinë e tij me kohën sot dhe shpreh përsëri gëzimin dhe mirënjohjen për këtë mundësi vizite në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Philip Riker pas takimit me Kryeministrin Berisha. Zgjedhjet
Kreu i qeverisë kërkoi dje nga zëvendësndihmëssekretari i SHBA-ve të sjellin një prani sa më të gjerë të vëzhguesve në zgjedhjet e vitit 2013. Biseda mes tyre u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë dhe zgjati rreth 80 minuta. Në daljen para mediave, kreu i qeverisë konfirmoi ftesën drejtuar Uashingtonit për procesin elektoral të vitit 2013. “Unë e njoha zotin Riker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që ne përballemi dhe që ekziston, me vendosmërinë e qeverisë për të merituar statusin e vendit kandidat dhe me vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të Shteteve të Bashkuara për një prani sa më të gjerë të tyre në zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha. Një tjetër pikë në të cilën Kryeministri u ndal gjatë deklaratës para mediave ishte ajo e institucioneve të pavarura. “Një çështje e veçantë e diskutimeve me zotin Riker ishte dhe konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të vendit. Unë e garantova atë se mbetemi plotësisht të vendosur të punojmë për pavarësinë dhe funksionimin e tyre dhe e falënderova për shkallën e shkëlqyer dhe ndihmën shumë të madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës u japin këtyre institucioneve, për funksionimin e tyre më të mirë”, u shpreh më tej kreu i qeverisë shqiptare. Ndihma e SHBA
Kryeministri i falënderoi sërish Shtetet e Bashkuara për kontributin e dhënë në përparimin e vendit tonë. Sipas tij, SHBA e kanë mbështetur ngushtësisht vendin tonë për t’u anëtarësuar në NATO dhe në BE. “Në këtë takim ne diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona dhe potencialin e madh që ekziston për konsolidimin dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Për mua ishte një rast shumë i veçantë për t’i shprehur zotit Riker, sekretares së Shtetit Klinton dhe Presidentit Obama mirënjohjen më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë, bazuar në vlerat e tregut, anëtarësimin e saj në NATO dhe në projektin aktual më madhor, anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
Politika rajonale
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Riker, vlerësoi kontributin e Shqipërisë për sigurinë. “Patëm mundësinë të diskutonim për perspektivën europiane të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe unë gjithmonë çmoj pikëpamjet e Kryeministrit për rajonin dhe më gjerë në botë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë kontributet e qëndrueshme të qeverisë për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë kontributet për misionin ISAF dhe vendosjen e stabilitetit në Afganistan. Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të vazhduar të rajonit dhe integrimit të tij euroatlantik”, u shpreh Riker.
100-vjetori i Pavarësisë
Kryeministri Sali Berisha ftoi dje sekretaren e Shtetit Hilari Klinton dhe Philip Riker të vizitojnë Shqipërinë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. “Në këtë takim unë e sigurova zotin Riker se në bindjen time më të thellë, mënyra më dinjitoze dhe më e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohjen ndaj kësaj mbështetjeje të madhe, është të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira. Mënyra më e mirë është që në këtë 100-vjetor, në të cilin shqiptarët ndihen krenarë me SHBA, si mikun më të mirë, më të rëndësishëm që kanë në botë, të punojnë për të zhvilluar vlerat që kanë bërë të madhe demokracinë amerikane, që kanë bërë të madh kombin amerikan”.
Riker-Nishani: “Të forcohen institucionet e pavarura”
Reeker e Nishani
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit u prit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Riker e siguroi Nishanin se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në sfidat e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimin europian në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë. Ai vlerësoi lart qëndrimet e matura të Shqipërisë ndaj zhvillimeve rajonale dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të saj. Presidenti Nishani dhe ambasadori Riker shkëmbyen mendime në lidhje me pavarësinë e institucioneve demokratike dhe ndanë mendimin se respektimi i institucioneve të pavarura përbën bazën për funksionimin e shtetit ligjor. Gjatë takimit me Presidentin Nishani, Riker vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë vendit tonë. Presidenti Nishani e siguroi zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit se zhvillimi i reformave është sfida më e madhe me të cilën përballen institucionet shqiptare.